Në procesin që çoi deri te Pavarësia e Kosovës ka pasur aq shumë etapa saqë është vështirë të përmblidhen të gjitha. Të gjitha këto elemente kishin bërë që Kosova vërtet të konsiderohet “sui generis”, pra rast i veçantë
Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 i kishte paraprirë një proces i gjatë ndërkombëtar përmes të cilit ishte koordinuar secili hap. Ndonëse shpesh është quajtur ky akt si “Shpallja unilaterale e Pavarësisë”, nuk ka pasur ndonjë rast ku një akt i tillë ka qenë më pak unilateral sesa ai i Kosovës.
Në procesin që çoi deri te Pavarësia e Kosovës ka pasur aq shumë etapa saqë është vështirë të përmblidhen të gjitha. Të gjitha këto elemente kishin bërë që Kosova vërtet të konsiderohet “sui generis”, pra rast i veçantë. Prej heqjes së dhunshme të autonomisë nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, dhunës policore, mbylljes së shkollave dhe përzënies nga puna, përmes përpjekjeve të Grupit të kontaktit për zgjidhje paqësore, Konferencës në Rambouillet, ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, vendosjes së Kosovën në administrim ndërkombëtar, negociatave në Vjenë, shpalljes së Pavarësisë, mendimit të GJND-së e deri te dialogu që akoma vazhdon, janë elementet të cilat nuk mund t’i ketë asnjë rast tjetër në botë.
Fundi i vitit 2005 dhe fillimi i vitit 2006 shënuan dy takime të rëndësishme të Grupit të kontaktit, ku u vendosën edhe elementet e negociatave edhe udhëzimet që bën të qartë se cili është qëllimi. Në takimet në Londër, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Rusisë, pastaj sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, në mesin e udhëzimeve që u dhanë për negociatat për statusin e Kosovës ishin edhe ato se “nuk mund të ketë kthim në gjendjen e para vitit 1999”, që u lexua si nuk ka kthim nën pushtetin e Serbisë.
Plani Ahtisaari
se “statusi i Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për popullin e Kosovës”, që dihej se do të jetë një lloj pavarësie, sepse kështu ishte vullneti i shumicës së madhe të qytetarëve të Kosovës. Dhe u tha se, kur procesi të nisë, ndonëse synohet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, procesi duhet të përmbyllet. Pra u bë e qartë se, me apo pa pajtimin e Serbisë, procesi deri te statusi i Kosovës duhet të përmbyllet.
Bazuar në këtë, Marti Ahtisaari, i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, që udhëhoqi si ndërmjetësues negociatat, doli me propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit. Propozoi si kompromis Pavarësinë e Kosovës nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Por BE-ja dhe NATO-ja dështuan të ndërtojnë një konsensus rreth këtij propozimi, e kjo ndasi vazhdon edhe sot e 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.
Ishte pranvera e vitit 2007, vetëm disa ditë pasi ishte bërë publike e ashtuquajtura “Pakoja e Ahtisaarit”, kur në Bremen të Gjermanisë ishin mbledhur në një takimin joformal ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili në atë kohë kishte 27 anëtarë. Kaq ka edhe sot, por ndërkohë në BE ka hyrë Kroacia e ka dalë Britania e Madhe. Pritej që me kryesimin e ministrit të atëhershëm gjerman, Frank Walter Steinmayer, me rolin aktiv të përfaqësuesit të lartë, Javier Solana, këto shtete të dëshmojnë unitet lidhur me problemin i cili e mundonte aq shumë Evropën dhe zgjidhja e të cilit do të përmbyllte fazën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në Bremen të Gjermanisë, më 30 mars 2007 pritej që BE-ja, qoftë dhe nga një takim joformal i njohur me emërtimin “Gymnich”, të shprehë unitet lidhur me Kosovën. Një gjë e tillë pritej edhe duke u bazuar në fuqinë që ka Gjermania. Por kjo nuk ndodhi.
BE-ja edhe atëherë, sikur që mundohet edhe sot, luante me fjalë për të manipuluar opinionin. Dolën në konferencë për shtyp, presidenti i sotëm i Gjermanisë, Steinmayer, krahas Javier Solanës dhe u thënë gazetarëve se kanë pasur një diskutim të hapur, konstruktiv dhe të frytshëm. Dhe, si konkluzion i tyre ishte se “të gjitha vendet e BE-së janë unike në mbështetje të përpjekjeve të Marti Ahtisaarit”. Ku ishte manipulimi? Ishte te fjala “përpjekje”. Sepse Ahtisaari nuk bënte më përpjekje. Ai i kishte kryer ato. Procesi i ndërmjetësuar nga ai kishte përfunduar dhe ai kishte bërë publike pakon e tij me propozimin për Pavarësinë e Kosovës, nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Pra BE-ja pritej të deklarohej se është unike në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit e jo të shpëtojë fytyrën duke mbështetur “përpjekjet e tij”.
Të vërtetën që kishte ndodhur në takim, gazetarëve ua kishte zbuluar një ministër i Jashtëm i një vendi të vogël, i cili kishte dalë nga takimi para se ai të përfundonte për të folur për media. Këtë e bënte zakonisht sepse kur përfundonin takimet interesi i gazetarëve për të ishte më i vogël. Dhe ai ministër u kishte thënë gazetarëve se në takim nuk ka pasur unitet, se shumica e shteteve mbështesin propozimin e Ahtisaarit për Pavarësinë e Kosovës, ndërkombëtarisht të mbikëqyrur, por se ka shtete si Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania që mbështesin Rusinë në interpretimet e tyre.
Ndasitë brenda Bllokut
Ndasitë kishin dalë në shesh edhe më qartë një ditë pasi Kosova shpalli Pavarësinë. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Moratinos, duke shkelur një marrëveshje mes shteteve që askush të mos dalë me deklarata publike pa u miratuar “deklarata e përbashkët e Këshillit të BE-së” erdhi më herët në ndërtesën e Këshillit në Bruksel dhe gazetarëve u tha se “shpallja e Pavarësisë së Kosovës është shkelje drastike e së drejtës ndërkombëtare” dhe pastaj vazhdoi ta krahasojë atë me ndërhyrjen amerikane në Irak dhe kështu prishi tërë atmosferën edhe para se të niste takimi. Deklarata e përbashkët doli si diçka krejt e paqartë, siç janë të paqarta edhe komunikatat e BE-së edhe sot kur bëhet fjalë për Kosovën. BE-ja nuk pati qëndrim të përbashkët fare për statusin e Kosovës. Madje edhe në pjesën e deklaratës ku i referohet faktit se Kuvendi i Kosovës ka shpallur Rezolutën për Pavarësi, nuk “merr në dijeni” shpalljen e Pavarësisë, por “Merr në dijeni” obligimet që ka marrë Kosova për të mbrojtur pakicat dhe për prani ndërkombëtare.
Për dallim nga deklaratat në rastet e tjera kur ndonjë shtet ka shpallur pavarësinë, si në rastin e Malit të Zi, ku u bëhet ftesë vendeve anëtare që me shtetin e ri të “vendosin raporte si me shtetet sovrane, sipas ligjeve nacionale dhe ndërkombëtare”, një thirrje e tillë për Kosovën mungoi.
BE-ja në një mënyrë tradhtoi Ahtisaartin, duke mos pasur unitet për të mbështetur propozimin e tij dhe tradhtoi edhe Kosovën duke mbetur neutrale ndaj statusit. Kosova deri më sot i ka përmbushur obligimet nga Pakoja e Ahtisaarit, ndërsa BE-ja, pos që ka bërë eksperimente me praninë e saj në Kosovë, jo edhe aq të suksesshme, nuk ka lëvizur nga vendi sa u përket obligimeve politike. Në këtë mënyrë, BE-ja nuk ka si ta trajtojë Kosovën njësoj sikur shtetet e tjera të rajonit dhe nuk i ndihmon as Serbisë, së cilës ia lë përshtypjen se ende mund të gjejë një zgjidhje tjetër që nuk është pavarësi për Kosovën. Një paqartësi e tillë vazhdon edhe 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Njohjet dhe vendimi që nuk u materializua me më shumë njohje
Kosova ende numëron shtetet të cilat e kanë njohur këtë Pavarësi, ndërsa Serbia flet për shumë prej tyre që e kanë tërhequr njohjen. Ky numërim nuk do të ishte aq i rëndësishëm sikur mungesa e njohjeve nga disa shtete të mos paraqiste pengesa serioze, shpesh edhe të pakapërcyeshme për faktorizimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për realizimin e aspiratave të saja të integrimit në organizmat ndërkombëtar.
Në dy organizatat euro-atlantike që Kosova synon një ditë të anëtarësohet, NATO dhe Bashkimi Evropian, nuk ndihmon shumë fakti se Kosovën e kanë njohur pothuajse të gjitha shtetet anëtare (në NATO 26 prej 30, ndërsa në BE 22 prej 27), pasi në çështjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në BE, e në rastin e NATO-s në të gjitha çështjet, vendoset me konsensus. Kjo shihet tash kur Suedia, në cilësinë e kryesueses së radhës, vazhdon diskutimet për të parë se si mund të veprohet me aplikimin që Kosova ka bërë për anëtarësim në BE. Kosova është vendi i fundit në kontinentin e Evropës që ka bërë një kërkesë të tillë.
Është fakt se shumica e madhe e njohjeve të Kosovës janë bërë falë punës dhe insistimit të shteteve sponsorizuese të Pavarësisë së Kosovës dhe atyre që mbështetën këtë shtetësi që nga fillimi i procesit të caktimit të statusit. Nëse shihet harta e botës me shtetet që e kanë njohur Kosovën, vërehet qartë se fjala është për shtete ku ndikim të madh kanë fuqitë perëndimore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Deri diku ka ndihmuar edhe Turqia. Njohjet kanë munguar nga vendet ku kanë ndikim Rusia dhe Spanja. Rusia te vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në disa vende islamike, të cilat kanë qëndrim antiperëndimor, ndërsa Spanja në disa vende të Afrikës së Veriut dhe të Amerikës Latine.
Prandaj është jo vetëm jofalënderuese ndaj atyre që na kanë ndihmuar, por edhe e dëmshme që politikanët nga Kosova të bëjnë gara se kush ka merita për cilën njohje. Ata ose kanë vendosur kontakte formale kur një shtet na ka njohur, pasi puna ishte kryer nga dikush jashtë Kosovës, ose prisnin që të shpallej njohja e pastaj të mundohen të merren meritat për vete. Një sjellje e tillë ka ndikuar edhe në zbehjen e vullnetit te këto shtete që të vazhdojnë me nivelin e njëjtë të lobingut për njohje, me të cilin kishin filluar në fazën e parë të pas shpalljes së Pavarësisë dhe kjo bëri që disa shtete edhe të hamenden. Nëse shikohen datat se kur, cili shtet e ka njohur Kosovën, shihet se procesi me kalimin e kohës është bërë më i ngadalshëm.
Edhe BE-ja, edhe shtetet që e kanë mbështetur Kosovën kanë pasur mundësi që në këto 15 vjet të zgjidhin çështjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Rasti më i mirë ka qenë pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në verën e vitit 2010 u paraqit ky mendim si një rast i jashtëzakonshëm për të siguruar njohje nga shtetet kyç, sidomos nga ato shtete të BE-së të cilat kundërshtonin Pavarësinë e Kosovës, duke u thirrur në argumente të së drejtës ndërkombëtare. Më 22 korrik të atij viti, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë, dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare e as nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
U prit që BE-ja dhe NATO-ja do t’u thonë vendeve të tyre anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, që tash ta bëjnë këtë sepse nuk vlen më argumenti i tyre, pasi organi më i thirrur në botë për të interpretuar të drejtën ndërkombëtare u shpreh se shpallja e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e kësaj të drejte. Por me përjashtim të Parlamentit Evropian, asnjë organizëm tjetër i BE-së apo i NATO-s nuk bën mundim që ta rrisin presionin për njohje.
Në vend të kësaj i tërë debati dhe fokusi nga ky mendim pozitiv që dha rast për njohje u bart në organizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Jo vetëm se u harrua njohja nga ana e 5 shteteve të BE-së, por BE-ja filloi ta konsiderojë këtë mosnjohje nga 5 shtete të saj anëtare si një rrethanë të mirë.
Qëndrimi “neutral” i BE-së ndaj statusit të Kosovës
Kur liderët e Serbisë nëpër takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se nuk është e vërtetë një gjë e tillë, nga zyrtarët e BE-së dëgjohet se “BE-ja është neutrale ndaj statusit dhe nuk e konsideron Kosovën si shtet”.
Nga zyrtarët e angazhuar në dialog, diplomatëve u thuhet se “fakti se BE-ja është e ndarë në qëndrime rreth statusit është përparësi e jo dobësi e BE-së, sepse kështu ajo është në pozitë të jetë lehtësuesi më i mirë në dialog”.
Rreth kësaj çështjeje, shpesh në BE arsyetohen duke thënë se “BE-ja nuk njeh shtete, por kjo është kompetencë e vendeve anëtare”. Por pse atëherë liderët politikë të BE-së së paku nuk japin deklarata politike se do të ishte mirë që të gjitha shtetet ta njohin Kosovën.
deklarohen shpesh për çështje të tjera për të cilat nuk ka konsensus në BE dhe pse atëherë hezitojnë që të deklarohen se a do të ishte mirë apo jo të njihet Kosova. Shkak i kësaj është dialogu, sepse në BE kanë pasur frikë se në rast të njohjes së Kosovës nga të gjitha shtetet, atëherë nuk do të mund të ishin ndërmjetësues në mes të “Beogradit dhe Prishtinës”, por eventualisht ndërmjetësues mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura.
Për të ndryshuar një qasje të tillë të paqartë të BE-së dhe NATO-s (në të dyja organizatat janë shtetet e njëjta që kundërshtojnë pavarësinë, me përjashtim të Qipros, e cila nuk është anëtare e NATO-s, por vetëm e BE-së) duhet një vullnet i madhe politik nga niveli më i lartë i shteteve anëtare.
Kosova, ndonëse në rrethana më të vështira, ka arritur të ketë raporte kontraktuale me Bashkimin Evropian, pa paragjykuar qëndrimin e vendeve anëtare ndaj statusit të Kosovës. Kjo përfshin edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe pjesëmarrjen në disa programe të BE-së. Nga institucionet e Bashkimit Evropian dallon Parlamenti Evropian, i cili mbështet Pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimisht u bënë ftesë 5 vendeve anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo pasi në Parlament, vendimet merren me parimin demokratik të shumicës e jo me konsensus si në Këshill. Por përkundër kësaj, BE-ja vazhdon të jetë e ndarë rreth statusit të Kosovës dhe shpesh fitohet përshtypja se më shumë vende janë kundër pavarësisë sesa në favor të saj.
Pesëmbëdhjetë vjet është dashur të ishte kohë mjaft e gjatë për ta përmbyllur këtë gjë. Dhe, ndonëse e pranojnë se e vetmja zgjidhje finale, gjithëpërfshirëse, e cila do t’i zgjidhte të gjitha problemet, do të ishte ajo që përfshinë njohjen e ndërsjellë, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr dorë përkohësisht nga ky qëllim dhe kanë ofruar një propozim për një “marrëveshje bazë”, e cila do të zgjidhte shumë probleme, por çështjen e njohjes do ta shtynte për një të ardhme më të largët. Gjithsesi, nëse pranohet dhe zbatohet, do të nënkuptonte një integrim më të lehtë të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, gjë që Serbia nuk do të duhej më ta pengonte. Kjo do të përfshinte anëtarësimin në Këshillin e Evropës, nisjen e procedurës për statusin e kandidatit në BE dhe eventualisht edhe përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.