Rruga “Hekurudha” që të çon tek rrethrrotullimi i “Lakërishtës”, nga e premtja është bërë me dy kahe.
Kjo rrugë e cila shfrytëzohej si një kahore për dalje nga Prishtina tek rrethi që lidhet me magjistralet, nga sot mund të shfrytëzohet edhe për hyrjen brenda në Prishtinë. Në këtë segment do të ndalohet edhe kalimi i kamionëve.
Ky ndryshim që do të jetë testues për një javë, sipas drejtorit për Shërbime Publike të Prishtinës, Ilirik Musliu, është bërë për të liruar rrugën “Bill Clinton” e cila ka ngarkesë të madhe të veturave.
“Për arsye të kaosit në trafik mirëpo edhe të rekomandimeve të qytetarëve dhe ekspertëve të ndryshëm, ne kemi krijuar një task forcë me të cilët kemi filluar të i trajtojmë këto kërkesa dhe kemi filluar me një studim të pikave me të cilat mendojmë se po vjen kaosi në trafik, dhe një prej tyre është edhe kjo tash. Me vendimin e taskforcës për komunikacion, është menduar të ndryshohet nga rruga një kahore në atë dy kahore me kahje të kundërta, me këtë synojmë të lirojmë nga ngarkesa rrugën ‘Bill Clinton’ dhe rrugën ‘Ahmet Krasniqi’”, ka thënë Musliu.
Megjithëse është paralajmëruar, shumë qytetarë po vazhdojnë të lëvizin në rrugë si të ishte një kahore, për shkak se nuk është vendos asnjë sinjalistikë.
“Si suport kemi njësitet policore që shumë shpejt pritet të vijnë dhe do vendosim edhe sinjalistikën. Për një javë njësia policiore të jetë në shërbime dhe qytetarët të heqin shprehin se kjo rrugë është një kahore. Gjithashtu edhe sinjalisitika do i ndihmojë, prandaj mendojmë se do të jetë e suksesshme”, ka shtuar më tej ai.
Pas këtij ndryshimi në komunikacion, si hap tjetër i Komunës së Prishtinës do të jetë largimi i laurave tek “Stacioni i Autobusëve” që do mundësonte lidhjen e lagjes “Kalabri” me “Dardaninë”.