Arbëri

“Rruga A” e përshpejton inicimin e planit rregullues për lagjen “Kalabria”

Për vite të tëra banorët e kësaj lagjeje kanë mbetur pa investuar në shtëpitë dhe tokat e tyre.

Në vitin 2013 është bërë edhe plani rregullues i hollësishëm për këtë lagje në bazë të së cilës ishte caktuar edhe koeficienti i ndërtimit prej 1.8.

Kjo bëri që banorët të presin për t’i dhënë toka e tyre për ndërtime të larta.

Por tani po bëhen 10 vite që nuk ka filluar implementimi i këtij plani.

Koeficienti për lagjen Kalabria u ndryshuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal nën qeverisjen e Shpend Ahmetit, duke u rritur në 2.4.

Anëtari i Këshillit të lagjes “Kalabria”, Milot Krasniqi, përveç dëmeve individuale, si pasojë e këtij plani, nuk është bërë asnjë investim infrastrukturorë në lagjen e tyre.

“Realisht prej 2013 është shtyrë plani rregullues për Kalabrinë. Ne na ka dëmtuar sepse zhvillimi ka shkuar në disa lagje që nuk kanë qenë të planifikuara hiq. E neve kjo na ka shkaktuar dëm të madh, por jo vetëm material, por edhe infrastrukturor, nuk ka shkolla të mjaftueshme, çerdhe, asnjë park dhe kjo me plan rregullues do të mund t’i zgjidhte këto probleme”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, ata nuk do të pranojnë një koeficient më të ulët se 2.4.

“Në pushtetin e kaluar e kanë vendosur 2.4 edhe pse në krahasim me lagjet e tjera e kanë më të lart, ne nuk e kemi pranuar as koeficientin 2.4 por ka qenë e pranueshme për të vazhduar me plan. Ndër 2.4 nuk e pranojmë si lagje dhe nëse nuk është e barabartë me lagjet e tjera ne duhet të dimë pse nuk është e njëjta. Ndër 2.4 nuk e pranojmë dhe të shohim se si do të reagojmë si lagje”, tha Krasniqi.

Me ardhjen në pushtet të qeverisjes së LDK-së, në krye me Përparim Ramën, ka filluar edhe plani zhvillimor komunal si tërësi për Prishtinën, duke deklaruar se pas kësaj do të bëhet edhe plani rregullues.

Pas presionit të banorëve të lagjes Kalabria, kuvendi komunal tashmë ka iniciuar planin e hollësishëm të kësaj lagjeje si të veçantë.

Drejtoresha e Planifikimit Strategjik në Komunë të Prishtinës, Mimoza Sylejmani thotë se ka qenë rruga A dhe kolektori që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, që shtynë në inicimin e këtij plani si të veçantë.

“Plani zhvillimor komunal është një dokument strategjik që i jep vetëm kahje të zhvillimit nuk është në nivel të parcelës, dhe plani rregullues është në nivel të parcelës. Rruga A e përshkon lagjen Kalabria dhe në ligjin për planifikim neni 17 e lejon të kemi një plan rregullues të hollësishëm kur kemi interes siç është rruga A, kolektori pra që përfshinë lagjen Kalabria”, tha Sylejmani.

Sa i përket koeficientit, Sylejmani thotë se janë ekspertët që e vendosin këtë gjë.

“Kryetari e ka deklaruar se koeficienti do të mbahet por janë ekspertët që do të vendosin për këtë çështje sepse nuk është as kryetari e as drejtori që do të vendos për këtë çështje. Jemi bukur të përpjekur t’i përmbahemi”, tha Sylejmani.,

Sylejmani thotë se dokumenti i PZHK-së, është vonuar si pasojë e instalimit të platformës GIS, përmes së cilës, qytetarët do të kenë mundësi të shikojnë planin për lagjen e tyre nga shtëpia.

“Vlen të theksohet se komuna e Prishtinës për herë të parë e ka platformën GIS në të cilën punohen të gjitha dokumentet e planifikimit dhe e gjithë komuna do të digjitalizohet. Tashmë jemi duke asistuar stafin që kanë me u marrë me GIS. Drejtoria e Planifikimit e ka aftësuar stafin e vet të gjitha këto janë digjitalizuar dhe prandaj na ka marrë një kohë të gjatë”, tha Sylejmani.

Plani Zhvillimor Komunal është një dokument prej 300 faqesh, dhe shumë shpejt pritet të dërgohet në Ministrinë e Planifikimit.