Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrjeti i Grave: Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të inkurajojnë dhunuesit e vajzave

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, që e ka dënuar me tetë muaj burgim P.K. që është akuzuar për dhunimin e një vajze 15-vjeçare në vitin 2012.

Rrjeti i Grave ka thënë se institucionet e drejtësisë po vazhdojnë të inkurajojnë dhunuesit e vajzave.

“Duke qenë se sipas ligjit kjo vepër penale dënohet 5 deri në 20 vite burgim, Gjykata Themelore e Pejës ka dështuar të shqiptojë dënimin e merituar për dhunën ndaj vajzave, duke pasqyruar kështu edhe një herë mungesën e reagimit institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore. Në këtë vendim, gjykata ka përdorur arsyetime të papranueshme e skandaloze, siç janë arsyetimet se “viktima nuk kishte pësuar lëndime”, dhe se “i akuzuari kishte sjellje korrekte”. Arsyetime të tilla veçse vërtetojnë se viktima nuk ka qenë prioritet për Gjykatën Themelore në Pejë. RrGK vlerëson së këso vendime të ulta vetëm sa po motivojnë edhe më shumë dhunuesit, kurse po demotivojnë gratë dhe vajzat për ta raportuar dhunën ndaj tyre. Andaj, përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon nga Prokuroria Themelore në Pejë që të sqarojnë se a kanë ankimuar kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. Kjo duke kujtuar se Prokuroria Themelore është përgjegjëse për trajtimin e këtyre rasteve duke i mbrojtur viktimat e duke i përcjell rastet deri në fund, e jo vetëm duke e dërguar aktakuzën”, thuhet nga Rrjeti i Grave.

Rrjeti i Grave ka bërë thirrje që të trajtohen me prioritet rastet e dhunës ndaj grave e vajzave.

https://www.koha.net/kronike-e-zeze/294085/8-muaj-burgim-per-te-dyshuarin-qe-dhunoi-nje-15-vjecare/