Arbëri

Rrjedhja e kanalizimit pa ndalur për 2 muaj dëmton rrugët në “Mati 1”

Ka më shumë se tre muaj që kur ka shpërthyer kanalizimi në lagjen “Mati 1”. Banorët e kësaj lagjeje po përballen çdo ditë me ujërat e zeza që dalin në sipërfaqe si pasojë e një dëmtimi, i cili nuk po sanohet.

Kundërmimi i rëndë e rreziku për ndonjë infeksion, janë shqetësimet më të mëdha të këtyre banorëve, të cilët e kanë njoftuar disa herë ujësjellësin duke kërkuar që të intervenojë.

Rrjedhja e këtij kanalizimi përveç rrugës “Uran Ajeti”, e ka dëmtuar shumë edhe rrugën kryesore “Muharrem Fejza”, në të cilën ka dalje.

E dëmtimet e mëdha infrastrukturore po paraqesin vështirësi edhe për veturat.

Por, ujësjellësi thotë se gjatë tërë kohës intervenon aty, mirëpo për të pasur një zgjidhje të përhershme, duhet të ndërrohet i gjithë rrjeti i kanalizimit.

“Është i kuptueshëm shqetësimi i qytetarëve. Rrjeti i kanalizimit në atë rrugë është mjaft i lënduar, është një gyp i cekët, prandaj edhe dëmtohet më lehtë. Me dhjetëra e dhjetëra herë ekipet e mirëmbajtjes kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë zhbllokimin e këtij kanalizimi. Për këtë janë dëshmitarë edhe qytetarët që çdo dy ditë ekipet tona janë atje. Mirëpo, intervenimet që i bëjmë ne, janë të përkohshme. Komuna ka kërkuar nga ne të bëjmë ndërrimin e një segmenti prej 30 metrave, ai segment ka qenë më urgjent, ka mbetë edhe një pjesë tjerë, mirëpo zyrtarët e Prishtinës kanë thënë se shumë shpejt do të bëjnë edhe ndërrimin komplet të rrjetit të kanalizimit në rrugën ‘Uran Ajeti’”, është shprehur zëdhënësja e Ujësjellësit, Arieta Mjeku.

Zëdhënësja Mjeku tregon nga kanë ardhur dëmtimet më të mëdha të këtij kanalizimi.

“Çdo qytetar duhet të ketë kujdes se çfarë hedh në rrjetin e kanalizimit. Ka hedhje të mjeteve të ngurta dhe të lëngëta dhe kjo po shkakton edhe probleme të qytetarëve. Letra dhe kafeja nuk duhet të hidhen në rrjetin e kanalizimit, dhe gjësendet e tjera. Aty kanë ndikuar edhe kamionët me pesha të rënda dhe hedhja e betoneve në rrjetet e kanalizimeve”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë afat se kur do të rregullohet ky problem.

“Ju informoj se rruga ‘Uran Ajeti’ është planifikuar të ndërtohet për vitin 2021 dhe jemi duke e përgatitur materialin për ofertim në procedura të prokurimit, kështu që ka të paraparë projektin për ndërtimin e rrugës me të gjithë infrastrukturën përcjellëse!”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Drejtoria për Investime Kapitale për këtë vit ka ndarë 1 milion euro për ndërtimin e rrugëve në pjesë urbane me infrastrukturë përcjellëse.