Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka reaguar në lidhje me shtimin e masave të sigurisë së kreut të këtij institucioni, Altin Dumani, duke thënë se janë procedura normale.
Përmes një komunikate për media, SPAK ka pranuar shtimin e masave të sigurisë për drejtuesin Dumani, ndërkohë që mohon lajmet se mund të jetë kërcënuar. Në dijeni për ndonjë kërcënim ndaj Dumanit nuk është as ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka thënë se shtimi i sigurisë ka ardhur në koordinim me Policinë e Shtetit.
Sipas SPAK, shtimi i masave të sigurisë është konform procedurave standarde, transmeton Euronews.
“Nisur nga publikimet në media dhe interesi i lartë publik, informojmë se: Në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore Drejtuesi i Prokurorisë së Posacme mbrohet nga Garda e Republikës e cila bashkëpunon dhe koordinon veprimet me Policine e Shtetit. Mbrojtja e Drejtuesit të Prokurorisë është konform procedurave standarde të miratuara”, thuhet në reagimin e SPAK.
Prej rreth 2-3 javësh, kreu i SPAK-ut lëviz me veturë të blinduar ndërsa pranë shtëpisë së tij është parë një prani e shtuar policore për ruajtjen e banesës.
Zhvillimet vijnë pak kohë pasi SPAK-u ka ndërmarrë një sërë operacionesh që ka çuar në arrestime të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe jo vetëm.