Gjatë këtij viti në Ferizaj janë regjistruar raste të shumta të përdoruesve dhe të shitblerjes së drogave. Sipas institucioneve, kjo dukuri ka shënuar rritje mjaft të lartë në krahasim me vitet e kaluara. Ndërkohë ditë më parë edhe dy persona janë arrestuar për kontrabandë me drogë
Ferizaj, 31 - Gjatë këtij viti në qytetin e Ferizajt janë rritur dukshëm rastet e përdorimit të drogave, sidomos nga moshat e reja.
Sipas raporteve në Gjykatën Themelore në Ferizaj, vetëm gjatë periudhës janar-qershor janë përfunduar 22 lëndë, ndërkohë 74 të tjera janë në procedurë gjyqësore.
Arjeta Musliu ka thënë se në mënyrë vullnetare në qendrën klinike “Ri Jeta” është duke i trajtuar mbi 400 përdorues të drogave, 200 prej tyre nga qyteti i Ferizajt.
“Numri çdo ditë është në rritje, mosha është shumë e ndjeshme. E them me shumë përgjegjësi se kam takuar edhe fëmijë të moshës dhjetëvjeçare që i ka sjellë familja apo që i ka sjellë një i afërm për të kërkuar ndihmë. Një kureshtje që nuk është informuar se çka po konsumon, çka është, cilat janë rreziqet dhe e them se çdo ditë jemi në rritje dhe jemi në rrezik të shëndetit, të mirëqenies së rinisë sonë”, ka deklaruar Musliu, drejtoreshë në qendrën klinike “Ri Jeta”.
Një qytetar, i cili është trajtuar në këtë qendër, u bënë thirrje të rinjve të largohen nga kjo dukuri, pasi thotë se atij i ka sjellë shumë probleme në familje e shoqëri.
“Nëse merresh me këtë punë herdo kur së paku një herë do të kesh punë me organet e shtetit, pasi e dimë se nuk është punë e mirë dhe është punë ilegale. Po, kam pasur rast kur jam arrestuar edhe prej organeve të shtetit, normal që nuk trajtohesh mirë derisa e dinë se nuk është një punë e mirë dhe nuk pritet se do të trajtohesh mirë prej tyre”, ka deklaruar N.S., ish-përdorues i drogës.
Policia e Kosovës në Ferizaj prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për të kuptuar saktësisht se sa është numri i të arrestuarve gjatë këtij viti.
Por ka njoftuar se ditëve të fundit dy persona janë arrestuar në këtë qytet, derisa në veturë dhe në shtëpitë e tyre është gjetur një sasi e konsiderueshme e drogave të ndryshme.