Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

RRGK-ja kërkon dënim maksimal për vrasësit e 18-vjeçares në Ferizaj

rrgk

Rrjeti i Grave të Kosovës ka (RRGK) reaguar lidhur me vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, nga dy të dyshuar, prej të cilëve njëri është ende në arrati.

Sipas RRGK-së, ky rast shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave.

“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore - kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave. Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve. Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurrfarë llogaridhënie?”, thuhet në reagimin e RRGK-së.

Sipas RRGK-së, spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal. Po ashtu, përmes kësaj kumtese njoftojmë se RrGK do ta përcjell rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend. Njëherit, u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në gjetjen e të dyshuarit të dytë, kurse mediave u bëjmë thirrje që të raportojnë duke pasur në qendër të vëmendjes ruajtjen e dinjitetit të viktimës - vetëm në këtë mënyrë secili prej nesh do të luajmë rolin që na takon në luftimin e pakusht të vrasjes së vajzave dhe grave”, thuhet në komunikatë.