Arbëri

Aktivistet protestojnë në Prizren për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj

Aktivistet për të drejtat e grave, të mërkurën, në qendër të Prizrenit kanë dënuar rastin e vrasjes së 18-vjecares në Ferizaj, me ç’rast kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës ndaj grave. Në të njëjtën kohë kanë kërkuar edhe veprime më efikase në këtë drejtim nga institucionet e drejtësisë.

Protesta e tyre në sheshin Shatërvan ka qenë e heshtur. Gratë, sikurse edhe disa burra përmes këtij aktiviteti kanë shprehur indinjatën e tyre për rastin e vrasjes së vajzës 18-vjeçare, M. O. nga Ferizaj, e cila dyshohet se vdiq nga dhuna që ushtroi mbi të partneri i saj. Me parulla në duar, është kërkuar drejtësi për këtë rast, sikurse edhe reagimi adekuat për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen. Ato kanë parakaluar edhe nëpër pjesë tjera të qendrës së qytetit, për të shprehur shqetësimin lidhur me dhunën ndaj grave, duke kërkuar nga institucionet seriozitet në trajtimin e këtyre rasteve.

Image

Aktivistja Puhiza Shemsedini ka theksuar se vrasja në Ferizaj ka qenë tronditës për tërë shoqërinë. Sipas saj institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit nuk kanë ndërmarrë masa me kohë për parandalimin e vrasjes së 18-vjecares. Ajo ka kërkuar nga bashkëmoshataret që t’i bashkohen protestës së përditshme, pasi rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave janë shqetësuese dhe “se nevojitet angazhim i përditshëm nga institucionet e shoqëria për parandalimin e rasteve të tilla”.

“Krejt çka po dua është që çdo ditë me u fol tema për të drejtat e vajzave, çdo ditë vajzat me u trajtua njësoj dhe jo vetëm kur ndodh një viktimë. Nuk duhet me qenë viktima ajo që na hap neve sytë edhe na bën me pa se çka është gjendja në Kosovë. Po dua që çdo ditë më u ndërmarrë masa në këtë temë dhe ju bëj thirrje krejtve me pru nivelin e respektimit të drejtave të vajzave aty ku duhet”, ka thënë Shemsedini.

Ndërsa aktivistja tjetër, Dafina Alishani ka theksuar se çdo ditë ka lajme për dhunën ndaj grave dhe se përgjigja e institucioneve të drejtësisë duhet të jetë më efikase në këtë drejtim, pasi reagimi i deritanishëm i tyre ka qenë i vakët, me mungesë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë.

“Ne edhe si femra edhe si qytetare të Kosovës ndjehemi shumë keq dhe nuk ndihemi edhe të sigurt, sepse nuk është e vetmja Marigona që ka dhunë. Ne çdo ditë i lexojmë lajmet e ndryshme për gratë që ballafaqohen me dhunë dhe është për të ardhur keq, sepse më institucionet duhet të marrin përgjegjësi dhe duhet ti përndjekin këta persona dhe të ketë dënime sa më të larta që mos të përsëriten këto”, ka thënë Alishani.

Sipas saj kjo protestë përçon mesazhin te gratë që përjetojnë dhunë se ato nuk janë vetëm dhe se duhet ti denoncojnë rastet e dhunës.

Lidhur me rastin e vrasjes së 18-vjeçares M.O., dy persona janë arrestuar, dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.