Arbëri

Rrëzohen akuzat ndaj Kurteshit dhe Çaushit, Prokuroria s’ua mori deklaratat para ngritjes së aktakuzës

Sami Kurteshi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Sami Kurteshit dhe Driton Çaushit, që ngarkoheshin se më 24 nëntor 2017 kishin penguar policët në zbatimin e urdhrit për arrestimin e Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut.

Siç ka shkruar “Betimi për Drejtësi”, Gjykata ka vendosur për rrëzim për shkak se Prokuroria s’kishte marrë deklaratat e tyre para ngritjes së aktakuzës.

“Hedhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, e datës 21.09.2018 dhe PUSHON procedura penale për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par. 4 lidhur me par. 1 dhe nenin 31 të KPRK-së, për shkak se ekzistojnë rrethana të cilat e pengojnë ndjekjen penale”, thuhet në aktvendim.

Po ashtu, në vendim thuhet se gjykata ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të bëjë plotësimin e aktakuzës, duke i bashkangjitur procesverbalet e marrjes së deklaratave të të akuzuarve nga prokurori i shtetit, nëse ato ekzistonin para ngritjes së aktakuzës. Mirëpo, sipas vendimit, Prokuroria më 21 maj 2025, ka pranuar kërkesën për plotësimin e aktakuzës, por deri në momentin e marrjes së këtij vendimi nuk i ka dorëzuar gjykatës procesverbalet e marrjes së deklaratave për të pandehurit e lartcekur.

Andaj, gjyqtarja ka vlerësuar se Prokuroria e Shtetit, me rastin e ngritjes së kësaj aktakuze, ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale që kanë qenë në fuqi në kohën kur është ngritur aktakuza.

Bazuar në këtë, gjykata ka vlerësuar se në rastin konkret ka shkelje dhe moszbatim të kësaj dispozite penale nga ana e prokurorisë, pasi që të akuzuarve është dashur domosdoshmërisht t’u merrej deklarata në prokurori, për shkak se dënimi për veprën penale për të cilën akuzohen është mbi tre vjet burgim.

Gjykata ka theksuar gjithashtu se kjo është një pengesë e pakapërcyeshme dhe një rrethanë që e bën të pamundur që çështja penale të kalojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pati ngritur aktakuzë më 24 shtator 2018 ndaj Driton Çaushit, Sami Kurteshit dhe Valon Hotit. Sipas aktakuzës, Çaushi dhe Kurteshi ngarkoheshin se më 24  nëntor 2017, rreth orës 8:30 në afërsi të Kuvendit të Republikës se Kosovës derisa Policia ka qenë duke i zbatuar detyrat e punës, zbatimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për arrestimin e Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut, Kurteshi dhe Çaushi në bashkëkryerje i kanë penguar personat zyrtarë në realizimin e detyrave zyrtare.

Akuza ndaj tyre ishte për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Valon Hoti akuzohet se derisa Policia ka qenë duke i transportuar me veturë zyrtare të arrestuarit- Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu, ka bërë përpjekje të ndalojë transportimin e atëkohë deputetëve, duke goditur automjetin zyrtar të policisë me mjet të fortë. Kështu, Policisë i ka shkaktuar dëm material. Andaj për këto veprime Hoti ngarkohej me veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 333, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Mirëpo, gjykata jashtë seancës kishte hedhur aktakuzën dhe kishte pushuar procedurën ndaj Valon Hotit, i cili akuzohej për asgjësim apo dëmtim të pasurisë sipas nenit 333 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit absolut/BetimipërDrejtësi