Numri i personave që u përfshinë në përgatitjen dhe realizimin e sulmit në Banjskë përfshin më shumë se sa 44 sa po akuzohen nga Prokuroria Speciale. Për këtë arsye institucioneve u është rekomanduar që t’i kenë në vëmendje strukturat e sigurisë së Serbisë që nuk janë në veri
Në vitet 2023 e 2024 Kosova u përball me sulmet terroriste në Banjskë e në Varagë, por jo të gjithë ata që janë përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e këtyre sulmeve janë arrestuar e akuzuar.
Institucionet duhet ta kenë vëmendjen te strukturat paralele të sigurisë, kanë vlerësuar në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Drejtori i QKSS-së, Mentor Vrajolli, vlerëson se numri i personave që u përfshinë në përgatitjen dhe realizimin e sulmit në Banjskë përfshin më shumë sesa 44 personat që akuzohen.
“Ajo që u mbetet institucioneve të Kosovës është që të sigurohen që këta persona të cilët operojnë brenda territorit të Kosovës dhe kanë për qëllim minimin e sektorit të sigurisë, këta persona të trajtohen në mënyrë adekuate… Sidomos ky grupi i Banjskës e që mendoj që ky grupi i Banjskës është më i gjerë sesa ata që kanë qenë drejtpërsëdrejti të përfshirë në Banjskë”, ka thënë Vrajolli.
Vrajolli thotë se vëmendje institucionet e sigurisë duhet të kenë edhe te strukturat e sigurisë së Serbisë që nuk janë në veri.
“Përpjekjet duhet të jenë të vazhdueshme, sepse ato struktura do të përpiqen të rikonsolidohen dhe çdo moment kur gjendet vakumi, këto struktura mund të konsolidohen, qoftë në pjesën veriore, qoftë edhe në pjesët e tjera kështu që nuk do të thotë se vetëm veriu është strehë e këtyre strukturave, duhet të kemi vëmendje më të madhe edhe te komunat e tjera të cilat janë në një masë të madhe të integruara, por që janë lënë anash nga syri i institucioneve”, ka thënë ai.
Për vëllezërit Viqentijeviq të akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit’, Prokuroria Speciale pretendon se u takonin strukturave serbe të sigurisë: për Jovan Viqentijeviqin, Specialja pretendon se është pjesë e Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake – VBA, kurse për Dragisha Viqentijeviqin se ishte pjesëtar i Mbrojtjes Civile.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Jovan Viqentijeviq, tek kishte folur me policët pas arrestimit, që e dërgonin në drejtim të Prishtinës, u ka përmendur pesë persona nga Zubin-Potoku dhe pesë ish-policë të Kosovës që, sipas tij, u trajtuan në poligonin ushtarak “Pasuljanske Livade” në Serbi.
“Sipas të pandehurit Jovan Viqentijeviq, në sulmin dhe luftimet në fshatin Banjskë të Zveçanit më datë 24/09/2023, nga zona e Zubin-Potokut, kanë marrë pjesë edhe disa persona që për shkak të hetimeve nuk do t’i citojmë në këtë aktakuzë”, thuhet në aktakuzën për sulmin terrorist në “Ibër-Lepenc”.
Në bazë të aktakuzës, i pandehuri u ka thënë policëve se në trajtime kanë marrë pjesë 120 persona, të cilët kryen trajtime për këmbësori, përdorim armësh të gjata, mitralozave të rëndë, minahedhësve, bombave C4 dhe dinamitit.
Megjithatë, gjasat që deklarata e tij e dhënë te policët të përdoret kundër tij në gjykim është e ulët, pasi ai u deklarua pa qenë i pranishëm avokati i tij.
Në aktakuzën e prokurorisë theksohet se i pandehuri nuk i ka pohuar këto në prani të avokatit pasi është mbrojtur në heshtje.