Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rreth 200 fëmijë në rrugë, “lëmosha ka ndikim negativ për ta”

Sociologu Blerim Shabani kërkon që të ndalet lëmosha për fëmijët të cilët gjenden nëpër rrugë të qyteteve pasi thotë se ka ndikim negativ në zhvillimin e fëmijëve.

Ai në emisionin “60 Minuta” në KOHË, ka thënë se qytetarët i stimulojnë fëmijët kur u japin lëmoshë dhe ata vazhdojë të qëndrojnë nëpër rrugë duke i kërkuar.

“Në rrafsh profesional dhe sociologjik jo është një stimulim i një sjellje të tillë që është e dëmshme për fëmijët. Ne stimulojmë sepse nëse ne po u japim të holla fëmijëve, e bëjmë atraktive daljen e fëmijëve në sheshe. Ekspozimi i fëmijëve në këto temperatura, këto kushte ka pasoja të jashtëzakonshme për shëndetin, aspektin emocional dhe aspektin e edukimit. Përkundër përpjekjeve institucionale, është bërë përpjekje që ky fenomen të luftohet, është arritur progres por ka ende punë për t’u bërë”, ka thënë ai.

Shabani ka shtuar se qytetarët kanë edhe mungesë informacioni për ndikimin negativ që ka lëmosha që u japin fëmijëve që dalin ta kërkojnë atë.

“Nëse e shohim sjelljen tonë kolektive është rezultat i sjelljes sonë dhe kulturalisht jemi solidarë, sjellja e shoqërisë sonë ndaj kësaj kategorie është mungesë e informimit të saktë për impaktin që mund ta ketë. Qytetarët që japin lëmoshë kanë mungesë informacioni për ndikimin negativ që ka dhënia e lëmoshës”.

Ai ka theksuar tre faktorë kryesorë që ndikojnë që fëmijët të dalin të kërkojnë para në rrugë ose të bëjnë punë që nuk u takon për shkak të moshës që kanë.

“Faktorët determinues që mund të enë nxitës të kësaj situate. Ky është fenomen i vjetër, është periudhë e gjatë me të cilën institucionet dhe qytetarët përballen. Faktorët janë çështje e diskutimit, analizave institucioneve. E dimë që janë faktorët socialë, një pjesë e madhe e fëmijëve të komuniteteve janë pjesë e frekuentimit të rrugëve që kërkojnë lëmoshë por edhe bëjnë punë që nuk janë në përputhje me moshën e tyre, është faktori ekonomik dhe faktorët e edukimit”, ka thënë ai.

Edhe Komuna apelon qytetarët: Mos jepni lëmoshë Arbëri Komuna apelon qytetarët: Mos jepni lëmoshë

Egzona Gashi nga organizata “Terre des Hommes“ ka thënë se organizata ka identifikuar rreth 200 fëmijë në situatë rruge. Ajo shtoi se fëmijët në këto situata i adresojnë tek institucionet përgjegjëse.

“Në kuadër të shërbimeve tona, në identifikim të fëmijëve deri tani kemi rreth 200 që janë identifikuar dhe që shumica diku 150 fëmijë gjatë këtij viti kanë marrë shërbime direkte në qendrën tonë. Ky grup i fëmijëve dhe familjeve është gjithmonë në lëvizje dhe nuk janë gjithmonë të njëjtit. Në prag të festave numri rritet, por nuk është gjithherë i njëjti”, ka thënë ajo.

Gashi ka treguar se fëmijët në situatë rruge të paktën 2-3 orë i kalojnë në qendrën e organizatës ku e kanë të siguruar një shujtë, u ofrohen shërbime psikologjike, aktivitete të ndryshme, e të tjera.