Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Identifikohen 140 fëmijë lëmoshëkërkues gjatë vitit 2022

Nga janari deri në qershor të vitit 2022 janë identifikuar 140 fëmijë lëmoshëkërkues, disa prej tyre nga Shqipëria. Si shtytës për të dalë në rrugë shihet situata e rëndë ekonomike, por edhe abuzimi me të mitur nga grupe kriminale. Sociologu Jeton Brajshori thotë se duke u dhënë lëmoshë fëmijëve, qytetarët nuk i ndihmojnë por u bëjnë dëm atyre

Një vogëlush i ulur në një kënd të sheshit “Nëna Terezë”, nën tingujt e daulles kërkonte para nga kalimtarët. Këtë e bën pothuajse çdo ditë.

Njësoj si ai, Policia e Kosovës nga janari deri në qershor ka identifikuar edhe 139 të tjerë në Kosovë. Disa prej tyre janë shtetas të Shqipërisë.

Sociologu Jeton Brajshori ka thënë se duke iu dhënë lëmoshë fëmijëve, qytetarët u bëjnë dëm atyre.

“Njerëzit mund të jenë më sensitivë kur e shohin një fëmijë duke kërkuar lëmoshë dhe për këtë arsye ata mund të japin, dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë jo në të mirë të tyre, por më shumë në dëm të tyre, për arsye se në momentin që ne u japim lëmoshë vazhdimisht personave të caktuar, atëherë kjo iu shndërrohet në profesion”, thotë sociologu Brajshori. “Pra, kjo ka të bëjë me më shumë dëm sesa dobi”.

Sipas këtij sociologu, shumë fëmijë dalin në rrugë për kërkimin e parave shkaku i varfërisë së skajshme.

Edhe Lypsarët përdorin fëmijët për të përfituar më shumë Arbëri Lypsarët përdorin fëmijët për të përfituar më shumë

Shpesh ata shtyhen nga prindërit që të dalin në rrugë, meqë njerëzit mund të jenë më të ndjeshëm ndaj fëmijëve dhe u japin para.

“Ne gjithë jemi të ndjeshëm. Në momentin që e shohim ndonjë fëmijë, i cili na ofrohet te dritarja e veturës, për të kërkuar lëmoshë apo në rrugë e shohim se është i zhveshur e i zbathur, atëherë ne normalisht që jemi qenie me emocione dhe do të reagojmë. Në këtë mënyrë do të japim lëmoshë”, ka thënë ai.

Që nga viti 2019, në kryeqytet funksionon Qendra ditore për fëmijët në situatë rruge.

Koordinatorja e kësaj qendre, Egzona Gashi, ka thënë se 30 fëmijë e frekuentojnë çdo ditë këtë vend, dhe aty mund të merren me aktivitete të ndryshme.

“Fëmijët marrin shërbime dhe përfshihen në aktivitete, duke filluar nga ato edukative me mësim mbështetës, varësisht nga nevojat individuale të fëmijëve. Më pastaj me aktivitete psiko-sociale rekreative, aktivitete artistike, me bazë artin ku ngrenë dhe adresojmë çështje, aktivitete të udhëhequra nga fëmijët përmes artit dhe pikturës, muzikës, skulpturës”, ka treguar ajo.

Përpos kësaj, ata mbajnë edhe takime me prindër.

“Kemi këshillim psikologjik për fëmijët, individual, grupor, për prindërit, familjarët e tyre. Në të njëjtën kohë edhe takime dhe sesione të prindërimit pozitiv me prindërit e fëmijëve që organizojnë, duke theksuar edhe aktivitete vetëdijesuese me organizimin e kampanjave të ndryshme në adresim të çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve”, ka thënë ajo.

Përmes këtyre shërbimeve, ajo tha që tentojnë që të reduktojnë rreziqet dhe kohën që fëmijët e kalojnë në rrugë.

Fëmijë lypsarë frekuentojnë gjithandej shesheve dhe rrugëve të kryeqytetit.

Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, ka thënë se është vështirë të përcaktohet numri i saktë, ngase fëmijët lëvizin në komuna të ndryshme. Sipas tij, shumica vijnë nga komunat e tjera dhe nga Shqipëria.

Edhe Komuna apelon qytetarët: Mos jepni lëmoshë Arbëri Komuna apelon qytetarët: Mos jepni lëmoshë

“Ne si qendër për punë sociale jemi duke u marrë me këtë realitet në baza ditore në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, por edhe me partnerët tonë, të cilët janë në komunitet. Ne në vazhdimësi jemi duke bërë vetëdijesim të qytetarëve lidhur me mosdhënien e lëmoshës. Jemi duke punuar me fëmijë, me familjet e tyre, në mënyrë që ata të jenë sa më larg rrugës dhe të jenë sa më afër bankave”, ka thënë ai.

Mujku ka potencuar se në kohën e verës numri i këtyre fëmijëve shtohet.

“Në periudha të ndryshme mund të themi se kemi edhe ndoshta 10 fëmijë apo 12 fëmijë në gjithë trafikun, në varësi të sezonit dhe të kushteve meteorologjike, sepse kur janë kushtet e mira, sidomos tash verës kur është edhe numri i madh i diasporës, që lëvizin nëpër rrugët e Prishtinës, numri i fëmijëve rritet në vazhdimësi”, ka thënë Mujku.

Ai ka treguar se është krijuar një mekanizëm koordinues mes Kosovës dhe Shqipërisë për të bërë fillimisht bartjen e informacioneve, e pastaj edhe të personave lëmoshëkërkues deri në Shqipëri dhe anasjelltas.

Ky drejtor ka shfaqur shpresën që në të ardhmen të ndërtojnë edhe një qendër në nivel të Kosovës për strehimin e fëmijëve.

Sipas Mujkut, në Qendrën për Punë Sociale janë duke i përmirësuar kushtet.

“Jemi në proces të mbulimit të disa pozitave të reja. Kemi marrë disa punëtorë pas vitit të ri dhe jemi në pritje të plotësimit edhe të disa pozitave të reja. Sidomos i kemi tri pozita për psikologë dhe punëtorë socialë. Po shpresojmë që me rritjen e stafit do të jemi të gatshëm të ofrojmë edhe më shumë shërbime në komunitet, sepse kemi pasur vështirësi të mëdha”, ka thënë ai.

E në Policinë e Kosovës kanë treguar disa nga shkaqet që fëmijët i shtyjnë të dalin në rrugë: “Për shkak të kushteve të rënda materiale, disa nga shprehia, apo ka raste ku dyshohet se mund të jenë të shtyrë nga personat e ndryshëm, raste këto që hetohen nga Policia e Kosovës”.

Në këtë institucion kanë theksuar se në vazhdimësi ndërmarrin veprime për parandalimin e këtyre aktiviteteve të të miturve.

“Policia e Kosovës vazhdimisht trajton dukurinë e lëmoshëkërkuesve dhe mbledh informata me qëllim të verifikimit dhe hetimit, nëse këta fëmijë shfrytëzohen si formë e trafikimit me njerëz dhe në kuadër të kësaj organizon edhe plane operative për identifikim të hershëm, mbrojtjen e tyre dhe referimin në institucione përkatëse për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Policisë.

Edhe Prishtina vend përfitimi për lypsarë nga Kosova e Shqipëria Arbëri Prishtina vend përfitimi për lypsarë nga Kosova e Shqipëria

Në Polici kanë theksuar të kenë ndërmarrë edhe veprime në funksion të ngritjes së vetëdijes përmes ligjëratave, broshurave dhe spoteve informuese, të cilat janë organizuar me partnerët dhe institucionet e tjera.

Ndërkaq, nga veprimet operacionale të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore gjatë vitit 2022 janë identifikuar 44 fëmijë në situatë rruge, prej të cilëve 36 shtetas të Kosovës dhe 8 të Shqipërisë.