Bombardimet e NATO-s, Bekim Shabanin që më 1999 i kishte vetëm 22 vjet, e zunë në një banesë në lagjen “Lakrishte” të Prishtinës, ku po qëndronte si student i elektroteknikës.
Nga dritarja e katit të tretë, kujton se si e vëzhgonte rrethimin e qytetit nga paramilitarët serbë. Dalja nga ndërtesa ishte e pamundur, thotë ai, derisa qëndroi i ngujuar për 78 ditë.
Ditët i niste dhe i përfundonte duke lexuar libra.
“Menduam që bombardimet nuk do të zgjasin shumë, për 3-4 dite do të përfundojnë. E mora si diçka që kalon shpejt. Unë isha vetëm në banesë, javën e parë e kalova mirë. Kam telefonuar një të afërm dhe ai më ka thënë që t’i bëj gati valixhet, por unë i thash se po pres deri në mbrëmje. Para hyrjes ku unë banoja veç u vendos një pikë kontrolli si post-bllok i paramilitarëve serb aty u bashkëngjiten edhe banorët serb ku u armatosen për mu ish rrezik me dal kështu që vendosa me qëndru në banesë deri të përmirësohet situata. Pasdite i shkëputën edhe linjat telefonike dhe nuk kemi mujt me kontaktu, kështu që unë mbeta i mbyllur”, ka rrëfyer ai.
Të jesh nga Drenica përbënte rrezik edhe më të madh më 1999. Për këtë studenti thotë se pati kujdes të mos bjerë në duart e paramilitarëve.
Edhe
I mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Pasi nisën bombardimet, Serbia filloi maltretimin ndaj nesh
“Disa hera kanë ardhur policia në derë, por unë isha i vendosur që me dorë time nuk e hapi derën, vetëm nëse e thyejnë ata vetë. Disa herë kanë trokit por unë nuk e kam hap derën. Një pjesë të madhe të ditës e kam kaluar në vëzhgim kush po hyn e kush po del, kush janë ata njerëz, a janë të armatosur, ku po shkojnë, çfarë kohe po kthehen. Shumicën e kohës e kam kaluar në lajme dhe pas një kohe e kam kuptuar që kjo luftë nuk do të përfundojë shpejt. Shumë herë kam menduar se si me dal nga banesa, por duke analizuar shumë opsione kanë qenë të gabueshme”.
Derisa nuk dinte asgjë për familjen e tij, ai filloi të kishte problem me rezervat e ushqimit.
Disa kate më lart, në banesë kishte mbetur edhe familja Emini, e cila kur kuptoi për studentin, për çdo ditë ndau edhe një racion buke nga sofra e tyre.
“Unë kisha disa rezerva ushqimore për 3-4 ditshin, por pas 1 jave vetëm së filluan të harxhohen rezervat. Më duhej me ra në kontakt me një familje shqiptare këtu në hyrje që mundet me më ndihmu për ushqim. Mu duhej me vëzhgu gjatë gjithë kohës se kush po kalon, se kush është shqiptar për ndryshe shiheshin vetëm ushtarakë. Pas një kohe të gjatë të vëzhgimit erdha në një kontakt të me një grumbull fëmijësh që flisnin shqip dhe e hapa derën i pyeta se a jetojnë me familjarët e tyre dhe a kanë mundësi me më ndihmu për bukë. Ju tregova që jam student dhe jetoj vetëm. Aty njihem me një vajzë 15-vjeçare nga një familje shqiptare që jetonin në katin e 15-të. Për pak më vjen buka dhe tentova me ia dhënë paret, por nuk më lejuan. Atë ditë e kalova, por mendoja për ditët e tjera. Unë atyre u thash se sa herë të dilni për të blerë buke blini edhe për mua dhe unë ua dha paratë. Prej asaj ditë kur kam ra në kontakt me familjen Emini më kanë ndihmuar”, ka treguar Shabani.
Pjesën e saj të historisë e ndan edhe vetë Edona Emini-Bragaj që i dërgoi bukën studentit të ngujuar.
Edona kishte trokitur në derën e Bekimin jo vetëm me ushqim. Ishte ajo që i dha lajmin e çlirimit.
“Momentin që janë largu paramilitarët serbë nga ndërtesa unë kam shkuar dhe i kam thënë Bekimit dil se tash jemi liruar. Bekimi është friku dhe nuk guxonte me dal jashtë banesës. Dhe kur ka dalë në qytet nuk ka besuar që ka përfunduar lufta”, ka thënë Emini-Bragaj.
Edhe
Nisja e bombardimeve të NATO-s në kujtesën e një qytetari të Prishtinës: “Te na filluan me ra dardhat, e te ju”?
Kryefamiljari, Elmi Emini kishte hezituar fillimisht për ndihmën e bashkëshortes dhe vajzës, duke u frikësuar që studenti mund të ishte provokim i armikut. Por krejt kishte ndryshuar pas takimit të parë që ndodhi pas futjes së trupave të KFOR-it.
Familja Emini dhe Shabani mbajnë kontakte dhe bëjnë vizita mes vete. Tashmë 46-vjeçar, Bekimi zemërgjerësinë e familjes Emini e përçon edhe te vajza dhe djali i tij.