Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nisja e bombardimeve të NATO-s në kujtesën e një qytetari të Prishtinës: “Te na filluan me ra dardhat, e te ju”?

Mexhit Syla

Kur 27 vjet më parë, bombat e NATO-s nisën t’i goditnin caqet policore e ushtarake të Serbisë, Mexhit Syla pati qëndruar në banesën e tij në Prishtinë. Ai kujton se si bombat e Aleancës Veriatlatike janë pritur me gëzim mes shqiptarëve të Kosovës. Që nga ajo kohë, ekspertë të sigurisë vlerësojnë se Kosova është shumë më e sigurt. E për edhe më shumë siguri karshi kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia, ata e kualifikojnë si kyç anëtarësimin në NATO dhe në iniciativa evropiane të sigurisë

Në 24 marsin e 1999-s, Mexhit Syla ishte në banesën e tij në Prishtinë kur dëgjoi shpërthim të fortë nga bombat e NATO-s që ranë mbi objektin kryesor të Ministrisë së Punëve të Brendshme të ish-Jugosllavisë në qendër, si dhe në atë të kazermës së Armatës Jugosllave, që sot e mban emrin “Adem Jashari”. 

Kur 27 vjet më parë nisi fushata e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake jugosllave, Syla pati ndihmuar me informata pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e strehuar në banesën e tij në “Dardani”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nisjen e bombardimeve, ai tani e përshkruan si ngjarje që u prit me gëzim nga të gjithë shqiptarët.
“Nata kur ka filluar bombardimi ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm besoj për çdo shqiptar. Ka qenë një sinjal që diçka e mirë dhe diçka e madhe do të ndodhë për ne... Celularë nuk kemi pasur atëherë, vetëm telefona të shtëpisë kemi pasur dhe kanë funksionuar. ‘O filluan me ra dardhat te na, a filluan me ra dardhat te ju’ – për bombat”, ka thënë Syla. 

Me gjithë nisjen e bombardimeve të NATO-s, lufta në Kosovë vazhdoi me masakra të mëdha të kryera nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë, si në Mejë, Pastasellë, Studime e vende të tjera. 
Nga ajo kohë, Syla i mban mend kolonat e njerëzve që hynin në Prishtinë nga vendet e tjera, si edhe britmat e atyre që përpiqeshin të gjenin vend në trenat e stërmbushur që do t’i shpinin drejt Maqedonisë fqinje. 

“Unë banesën e kam në Dardani te sheshi “Bill Clinton” dhe prej aty kam mundur ta shoh se ç’po ndodh, se nuk kanë qenë këto ndërtesat shumëkatëshe dhe shiheshin turmat e njerëzve, duke pritur ditën e natën aty, fëmijët duke qarë e momenti kur vinte treni – piskama e tyre ka qenë aq e madhe saqë edhe në zemër na ka dridhur – çka po ndodh me ta, kah po shkojnë, çka po ndodh me neve?, ka kujtuar ai. 

Pas fushatës 78-ditore të bombardimeve, Jugosllavia e pranoi tërheqjen e forcave nga Kosova. Më 2008, Kosova e shpalli pavarësinë, porse edhe sot Serbia nuk e njeh si shtet dhe e mban në Kushtetutë si pjesë të saj. 

E, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, thotë se Kosova tani është shumë më e sigurt, me gjithë kërcënimet nga Serbia.

“Mund të them që Kosova është në një tjetër botë, Kosova është shumë më e sigurt sesa që ka qenë atëkohë....Ne edhe më tutje vazhdojmë të mos njihemi si shtet nga shteti fqinj, që e ka Kosovën në preambulë të Kushtetutës, por edhe në strategjinë kombëtare të mbrojtjes, e që kjo drejtpërdrejt nënkupton kërcënim jashtëzakonisht serioz dhe mendoj që institucionet tona duhet ta marrin këtë kërcënim ashtu siç është”, ka thënë Vrajolli. 

Për forcimin e sigurisë, Vrajolli e kualifikon kyç integrimin e Kosovës në NATO dhe në iniciativa evropiane të sigurisë.