Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se kjo parti po e dëmton veten me disa lëvizje të brendshme. Sipas tij, në fund kjo parti do ta paguajë vetë faturën e dëmit...
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se në fund të mandatit, do t’i vlerësojë qëndrimet dhe të vendosë nëse duhet vazhduar edhe një mandat me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së të enjten se nëse është pengesë e punës së Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, do të tërhiqet në fund të mandatit, por që kjo sipas tij, mbetet të shihet në vazhdim.
“Kur ta përfundoj mandatin do të bëj llogari cilat kanë qenë arritjet e mandatit, nëse kam qenë pengesë, nuk do të marrë pjesë në asnjë listë zgjedhore. Nëse shoh që ka qenë i dobishëm mandati im, edhe do të angazhohem”, ka deklaruar Rrahmani.
Duke folur për çështjet e brendshme të VV-së, Rrahmani u shpreh se ndalimi i disa deputetëve për kandidim për kryetarë qendrash, nuk është e shëndetshme për partinë, e kjo sipas tij, e dëmton shumë VV-në.
“Në grupin parlamentar të VV-së vendoset edhe me shumicë. Nuk do të thosha që disa neglizhohen, por varet edhe deputetët si e trajtojnë veten. Disave u është ndaluar kandidimi për kryetar të qendrave. Ato i ka bërë Komisioni që bën verifikimin e kandidaturave. S’mendoj se ka qenë e shëndetshme... Është liruar nga detyra e kryetarit në Rahovec edhe deputeti Visar Korenica. Janë çështje që më tepërmi e dëmtojnë VV-në se deputetin apo të tjerët. Pra, faturën në fund do ta paguajë VV-ja, më shumë se secili”, ka thënë Rrahmani.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë të votojë kundër projekt-kodit civil, edhe nëse insistohet në to.
“Drafti i njëjtë, qëndrimi i njëjtë. Për këtë çështje është e njohur edhe partia, s’ka nevojë ta njoftoj edhe më shumë. Kam njoftuar paraprakisht. Janë dy nene që janë diskutuar më shumë, ka edhe vërejtje që mund të përmirësohen me amandamente. Unë kam qëndrimet e mia që i përfaqësoj edhe votuesit e mi, secili që më ka votuar i ka ditur edhe qëndrimet e mi. Do të vazhdoj të jem ai që kam qenë. Jemi demokraci, kam të drejtë të mendoj me secilën mënyrë, s’është korrekte të thuhet se një deputet (ka dalë kundër v.j). Nëse kisha iniciuar diçka që ndalon diçka, do të ishte akuzë, mirëpo as s’kam iniciuar asnjë çështje për asnjë kategori, s’jam personi që dua të rregulloj çështje të tjera”, u shpreh ai.
Rrahmani ka thënënë KTV se në sferën e shëndetësisë, Qeveria ka ngecur.
“Në disa jemi mbrapa, raportet e Auditimit për 2021 i kemi. Nuk tregojnë performancë të mirë as të SHSKUK-së. Mendoj se ka çështje që duhet seriozisht t’i trajtojmë. Si deputet, do të pres edhe pak kohë që të fillohet me ndryshimin dhe inicimin e shumë ligjeve. MSH-ja ta iniciojë mbikëqyrjen e çmimeve të barnave dhe produkteve të tjera”, ka thënë ai.
Deputeti i VV-së u shpreh se e cilëson kriminel lufte Oliver Ivanoviqin. Sipas tij, dënimi nga Gjykata është i mjaftueshëm që ai të konsiderohet kriminel.
“Mendoj se Ivanoviqi ka qenë kriminel, ai është dënuar për krime, e dëshmojnë edhe shumë familjarë që i kanë parë krimet. Ky si organizator i asaj strukture, ka qenë pjesë e tyre. Qëndrimi im në lidhje me Ivanoviqin është ky. Është shumë e saktë ajo që thuhet se vrasja e tij ka pasur qëllime politike. Dihet si ka ardhur dhe pse”, ka thënë Rrahmani.
Deklarimet e Kurtit për Ivanoviqin, Rrahmani i quajti jo të përshtatshme.
Për dialogun me Serbinë, Rrahmani ka shtuar se Kosova duhet të ketë koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Koordinim të plotë, sipas deputetit, nuk pati në çështjen e targave.
“Të kemi koordinim dhe mirëkuptim që të mos vijmë në situata ku për shkak të gabimeve të vogla, të kemi dëme të mëdha. Edhe një nga reagimet e mia ka qenë që gjatë këtij procesi, të kemi koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. S’ka munguar koordinimi. Te çështja e targave ka mundur të ketë koordinim më të mirë. Çështjet teknike ndikojnë në jetën e qytetarëve. Zgjidhja përfundimtare që në qendër ka njohjen, do të ishte lirim për t’u marrë me çështje të tjera si energjia, arsimi, ekonomia.. Kryeministri është i angazhuar në këtë çështje që të mos vazhdojë një rrugëtim i tillë. Ka dialog pa asnjë rezultat dhe po e dëmton shumë Kosovën. Serbia këtë qëllim ka”, ka përfunduar ai.