Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Robelli: Kisha Katolike të distancohet nga deklaratat e Shan Zefit në radion gjermane

Enver Robelli

Gazetari Enver Robelli i ka cilësuar problematike dhe ka kërkuar distancim nga Kisha Katolike për deklaratat e klerikut katolik shqiptar Shan Zefi, të transmetuara në radion publike gjermane “Deutschlandfunk”.

Në një shkrim në Facebook të shtunën, Robelli ka bërë të ditur se e ka dëgjuar personalisht incizimin e plotë të intervistës dhe se, pas hapjes së debatit publik, e ka kërkuar regjistrimin direkt nga autori i kronikës së transmetuar në “Deutschlandfunk”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në incizim, sipas tij, Shan Zefi shprehet: “Shqiptarët kanë fillu të besojnë se mbetesh shqiptar vetëm si katolik”.

Robelli e cilëson këtë si “deklaratë shumë problematike”, duke shtuar se “ai vetë, por edhe Kisha Katolike do të bënin mirë të distancoheshin”.

Ai sqaron gjithashtu çështjen e një citimi tjetër të përkthyer nga radioja gjermane, sipas të cilit Shan Zefi ka thënë: “Si mysliman nuk ke shpirt shqiptar”, duke theksuar se ky është interpretim i reduktuar dhe jo formulim i drejtpërdrejtë. Sipas incizimit, ka shkruar Robelli, deklarata e plotë është: “…sepse me kostume, tesha, kostum, e me këto veshje, nuk ka shpirt… do të thotë… nuk ka shpirt shqiptari”.

Robelli rendit tri probleme kryesore lidhur me intervistën. Së pari, ai thotë se Shan Zefi nuk i ka kërkuar gazetarit autorizim të citateve, ndonëse i intervistuari ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, veçanërisht kur trajtohen tema delikate.

Së dyti, ai vlerëson se intervista është zhvilluar në kushte jonormale, duke theksuar se në sfond dëgjohet përkthyesi, i cili, sipas tij, nuk e zotëron mirë gjermanishten dhe më shumë interpreton e ndërhyn sesa përkthen fjalë për fjalë, ndërkohë që edhe vetë kleriku flet pa koncentrim.

Së treti, Robelli shprehet se gazetari gjerman mund të mos ketë qenë i vetëdijshëm për potencialin shpërthyes që mund të kenë deklaratat mbi fetë e tjera në Kosovë.

Ai thekson se kleriku duhet të sqarohet me radion gjermane për deklaratën e tij, duke e cilësuar këtë si adresën e parë për sqarim. Ndërkohë, sa i përket fjalisë “shqiptarët kanë fillu të besojnë se mbetesh shqiptar vetëm si katolik”, Robelli thotë se ajo “le të rëndojë mbi ndërgjegjen e tij dhe të mbështetësve”, duke shtuar se kjo fjali dëgjohet qartë në incizim dhe nuk mund të mohohet.

Robelli tutje ka shkruar se sipas kësaj logjike “as Fan Noli nuk i plotëson kushtet për të qenë shqiptar”.

Në fund, Robelli u është përgjigjur edhe kritikëve, të cilët, sipas tij, e kanë etiketuar si pjesë të grupit që po e sulmon klerikun.

“Në fund edhe diçka: pashë disa mendjehumbur duke pretenduar se “anadollakët” po e sulmojnë Shan Zefin. Qartë, në këtë grup më fusnin edhe mua dhe kjo më ka shkaktuar të qeshura të papritura. Më shumë vëmendje nuk meritoni nga unë. Vetëm të qeshura...”, ka shkruar ai.

LEXO EDHE:

Reagon Shan Zefi, thotë se deklarata “si mysliman nuk ke shpirt shqiptar” u shtrembërua

1 muaj më parë / 21 shk 2026 14:49
shan zefi

Kleriku Shan Zefi ka reaguar pas raportimeve në Kosovë të cilat janë publikuar pas intervistës së tij për radion publike gjermane “Deutschlandfunk” ku ai citohet të ketë thënë: “Si mysliman nuk ke shpirt shqiptar”. 

Në një postim në Facebook, kleriku katolik shqiptar ka thënë se raportimet e dala nga intervista e tij në radion gjermane janë “të pasakta”. Ai ka mohuar se ka thënë një gjë të tillë, duke e quajtur citimin “manipulim” të fjalëve të tij. 

“Pretendimi se unë kinse kam deklaruar se: ‘si musliman nuk ke shpirt shqiptari’ është një shtrembërim i qëllimshëm dhe manipulim i fjalëve të mia. Një formulim i tillë nuk përfaqëson mendimin tim në intersvistë, dhe as qëndrimin tim publik, të cilin e kam dëshmuar për dekada të tëra përmes veprës sime meshtarake, shkencore dhe kombëtare”, ka shkruar në Facebook.

Siç ka thënë Shan Zefi, në intervistë ka mbrojtur identitetin dhe traditën shqiptare “duke theksuar se shqiptaria është një vlerë historike, kulturore dhe shpirtërore që duhet ruajtur nga ndikimet e huaja që nuk përputhen me traditën dhe kulturën tonë kombëtare”. 

Çdo interpretim tjetër, nga kjo që ka shprehur në Facebook, Shan Zefi thotë se është tendencioz dhe synon të krijojë përçarje ndërfetare dhe të dëmtojë figurën e tij publike.

“Po bëhen përpjekje që intervista të publikohet e plotë dhe pa ndërhyrje, në mënyrë që opinioni publik të gjykojë mbi bazën e fakteve dhe jo të interpretimeve të pjesshme apo të manipuluara”, ka shkruar ai.