E ditë më parë, zyrtarisht fermerët vendës kanë rifilluar punën, ku përmes tezgave të tyre, konsumatorëve po u ofrojnë produkte vendore.
Edhe pse e re në moshë, 25-vjeçarja, Violeta Murati nga Podujeva, nuk e ka anashkaluar punën në këtë treg.
Ajo madje thotë se ka krijuar miqësi me shumë nga konsumatorët, të cilët shton se i kanë munguar gjatë këtyre ditëve karantine, raporton KOHA.
E ndërprerja e punës në këtë periudhë, sipas saj, ka ndikuar edhe në ekonominë e biznesit.
E Valbona Sopin në 3 ditët e javës mund ta gjeni në shtandet e këtij tregu.
Nga Sllovia e Lipjanit, ajo sjell produktet e saja që tash e disa vjet, kanë zënë vend dhe interes në kryeqytet.
Pos perimeve dhe frutave të freskëta, në tregun mobil ofrohen edhe krijime punë dore. Ngjashëm po i sjell edhe Mihane Shala nga Fushë-Kosova.
Tregu mobil ka rifilluar punën javën e kaluar, ku tregtarët do të jenë të pozicionuar çdo të martë në sheshin “Zahir Pajaziti”, të mërkurën në sheshin ‘Bill Clinton” dhe të enjten në sheshin “Adem Jashari”, duke filluar ora 09:00 deri në orën 17:00.