Arbëri

Rikthehen në punë psikiatri që u suspendua, pas arrestimit në Tiranë për përndjekjen e një gruaje

SHSKUK-ja e ktheu në punë psikiatrin Behar Kamberi, që u pat suspenduar më 29 shtator pas arrestimit në Shqipëri, nën dyshimin për përndjekjen e një gruaje. Ai u pa në repartin e fëmijëve dhe adoleshentëve gjatë aktivitetit për Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. Veprimi ka nxitur shqetësime për sigurinë dhe për integritetin e shërbimeve në Klinikë

Psikiatri Behar Kamberi, që u pat suspenduar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar më 29 shtator, pas arrestimit në Shqipëri nën dyshimin për përndjekje të një gruaje, është rikthyer në punë.

Atë, sipas mediave në Shqipëri, autoritetet e rendit dhe drejtësisë në Tiranë vendosën ta lirojnë nga mbajtja dhe ta vazhdojnë hetimin në gjendje të lirë.

E të premten, ai u pa në ambient pune në repartin e Psikiatrisë së Fëmijëve, duke e shoqëruar stafin tjetër mjekësor dhe Avokatin e Popullit në shënimin e Ditës botërore të shëndetit mendor.

I pyetur nga KOHA rreth kthimit të tij në punë, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, e arsyetoi situatën me mungesën e ankesave zyrtare.

“... personi në fjalë deri më tani nuk ka asnjë ankesë zyrtare në Klinikën e Psikiatrisë për keqpërdorim të detyrës së tij. Në rastin kur do ta kemi një ankesë zyrtare gjithsesi se do të merremi….Ankesat jozyrtare munden edhe të jenë, por ne nuk kemi informata të tilla”, tha Kutllovci.

Ofrimin e shërbimeve mjekësore për fëmijë nga një i dyshuar për përndjekje nuk e ka komentuar drejtpërdrejt Avokati i Popullit.

“Unë nuk i kam informatat për këtë rast. Besoj që integriteti i zyrtarëve publikë gjithmonë duhet me qenë në prioritet i secilit institucion, por gjithmonë duke i ruajtur disa parime bazë që i respektojnë të drejtat e njeriut dhe të secilit individ që është prezumimi i pafajësisë dhe mos akuzave derisa të shpallet i fajshëm me një vendim gjyqësor”, tha Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Në ditën kur Kamberi u arrestua, këshilltari politik në Ministrinë e Shëndetësisë, Durim Elshani, bëri të ditur për suspendimin e tij dhe tha se vendimi do të mbetet në fuqi deri në përfundim të procedurave ligjore.

Por, për arsyen e lirimit nga masa e suspendimit dhe për praninë e psikiatrit në Klinikë, nuk dhanë sqarim as në Ministri të Shëndetësisë e as në SHSKUK.

Përmes zyrës për media e drejtorit të Klinikës së Psikiatrisë, KOHA kërkoi të marrë qëndrim edhe nga psikiatri Kamberi, porse kjo nuk iu mundësua gjatë ditës.

E drejtori i qendrës për informim dhe përmirësim social, Bind Skeja, e quajti shqetësues kthimin e Kamberit në punë tek tha se ShSKUK-ja duhet të japë sqarime rreth vendimit.

“Është jashtëzakonisht mesazh i dëmshëm dhe kjo e dëmton edhe vetë institucionin e SHSKUK-së për shkak se krijon pasiguri tek personat që shkojnë me i marrë ato shërbime.....Ekstra shqetësim ish dashtë me qenë për SHSKUK-në për shkak se ne po i shohim dhe u pa në ditën kur u arrestua psikiatri që kanë dal nuk e di sa persona në mënyrë anonimiteti dhe i kanë kallëzuar përvojat e tyre. Fakti që kjo nuk po i vjen Klinikës së Psikiatrisë duhet me qenë alarmante për ta”, tha Skeja.

Ndaj Kamberit, sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, është lëshuar kallëzim penal gjatë vitit 2020, për shkak të veprës penale të kanosjes dhe ngacmimit.