Procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbetet i pezulluar dhe deri tani dështuan edhe disa përpjekje ndërkombëtare për të zhbllokuar situatën. Kjo bllokadë dhe përplasjet e vazhdueshme kanë çuar në shtimin e tensioneve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e polikave, Naim Rashiti thotë për Zërin e Amerikës se situata aktuale po e fut Kosovën në një status quo të gjatë dhe të rëndë. Ai thotë se një proces i vazhdueshëm bisedimesh Kosovë-Serbi do të mund të ulë tensionet e larta ndërmjet të dy vendeve.
“Vetë procesi intensiv i ul tensionet, i ul gjakrat dhe natyrisht me bashkërendime të brendshme, nëse elitat në Kosovë dhe Serbi arrijnë të bashkërendojnë veprimet në mes vete sepse ky është defekti kryesor i këtyre dy viteve, por si i tillë do ta bënte procesin shumë më praktik dhe ruajtjen nga ngritja e tensioneve”,tha ai.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se procesi i bisedimeve shpeshherë është keqpërdorur nga Prishtina dhe Beogradi dhe kjo ka ndikuar edhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend.
“Dialogu Kosovë-Serbi ka ndikuar edhe në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, pasi që shpesh komunitetet kanë qenë të marra peng nga politika, qoftë e Prishtinës apo Beogradit zyrtar. Kjo tregon që politika në Kosovë duhet të jetë më vigjilente dhe duhet të tregojë një seriozitet më të madh që patjetër dialogu Kosovë-Serbi të mbetet një çështje e rëndësisë së lartë por që mos t’i lejë anash çështjet tjera”,tha ajo.
Edhe
Zgjedhjet pezullojnë dialogun Kosovë-Serbi, Krasniqi: Ky proces po ndikon në jetëgjatësinë e qeverive
Analistët thonë se muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi pasi që sipas tyre, po bie interesimi i faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes ndërmjet dy vendeve.
Rashiti thotë se nga rënia e interesimit më së shumti do të pësonte Kosova, që nga menaxhimi i sfidave të brendshme deri te ato ndërkombëtare.
“Kosova pastaj duhet të mendohej mirë dhe të bëj zgjidhje, a është në gjendje që politikisht dhe institucionalisht të ruaj qëndrueshmërinë e brendshme, të konsolidoj shtetin për aq sa rrethanat tjera ndërkombëtare lejojnë. Por, do të jetë jë status quo e gjatë e rëndë e cila natyrisht që mund të menaxhohet por kërkon shumë angazhim politik për çka edhe nuk po i shohim udhëheqësit e gatshëm”,tha ai.
Ndërsa, Jeta Krasniqi tërheq vëmendjen edhe tek mungesa e bashkërendimit të institucioneve të Kosovës përballë bisedimeve me Serbinë, gjë që mund të sjellë një marrëveshje jo të mirë për vendin.
Edhe Limitet e ndërmjetësimit të BE-së dhe udhëkryqi në të cilin gjendet dialogu Kosovë-Serbi“Por mbetet fakti që edhe nëse tarifat hiqen dhe palët ktheheshin në dialog, Kosova nuk është e përgatitur në kuptimin që ende nuk ka një qëndrim unik të shtetit të Kosovës i cili mbështetet nga udhëheqësit institucional dhe kjo që patjetër e dëmton rolin e Kosovës, por edhe të ardhmen dhe vet pozitën e Kosovës në tryezën e diskutimeve”,tha ajo.
Kosova e Serbia vazhdojnë të mbajnë qëndrime të pandryshuara përballë mundësisë së vazhdimit të bisedimeve. Derisa, Serbia kërkon heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe si kusht për të vazhduar bisedimet, Kosova kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen.