I është revokuar licenca shtëpisë së të moshuarve “Orenda” në Pejë, pak ditë pasi u bë publike videoja në të cilën infermieret ushtronin dhunë ndaj një të moshuare, ka njoftuar Ministria e Financave të premten.
Vendimi është marrë nga Komisioni Licencues.
“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit. Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”, thuhet në njoftim.
MF-ja ka thënë se sipas vendimit, “Orenda” është e obliguar që për 24 orë t’i njoftojë familjarët e rezidentëve e nga 7 nëntori ta dorëzojë licencën dhe ta mbyllë aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.
Ndaj tri infermiereve që u panë teksa sulmonin të moshuarën është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Videoja ka nxitur reagime gjithandej. Të premten ka pasur edhe protesta.