Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër (18 dhe 19 nëntor) si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës.
“Duke u bazuar në të dhënat, modelet dhe vrojtimet e kushteve të përgjithshme hidrometeorologjike në vend dhe rajon, parashihet që gjatë datave 18–19/11/2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete”, ka paralajmëruar të hënën IHMK-ja.
Sipas paralajmërimit zonat më të rrezikuara janë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe rrjedha të tjera me karakter malor.
Sasia e reshjeve në më shumë se 40 litra për metër katrorë në 24 orë rrezikon shkaktim të përmbytjeve, problemeve në të gjitha aktivitetet e prodhimtarisë bujqësore, probleme në trafik dhe rrezik të rrëshqitjes së dheut e baltë.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në këtë njoftim të IHMK-së, ka bërë të ditur se i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të menaxhuar situatën në koordinim me institucionet relevante.
Kjo agjenci u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112.
Edhe Policia e Kosovës ka apeluar te pjesëmarrësit në trafik për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë, mbajtje të distancës dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë.
Të mërkurën procesi mësimor rikthehet në normalitet në kryeqytet
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të mërkurën (19 nëntor) procesi mësimor do të rifillojë normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore në kryeqytet, pas konstatimit se situata me reshjet është e qëndrueshme.
Të martën, kryeqyteti nuk zhvilloi mësim pas paralajmërimeve për vërshtime të mundshme.
Tani në një njoftim, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se gjatë natës intensiteti i reshjeve pritet të bjerë.
“Nesër, procesi mësimor rifillon normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të qytetit dhe të fshatrave të Prishtinës. Bazuar në vlerësimin e Shtabit Emergjent, informacionet e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe koordinimin me drejtoritë përkatëse të Kryeqytetit, është konstatuar se situata është e qëndrueshme për zhvillimin e rregullt të mësimit. Intensiteti i reshjeve gjatë natës pritet të bie dukshëm sipas vlerësimeve të fundit të IHMK-së, ndërsa ekipet emergjente janë në terren dhe po sigurohen që infrastruktura shkollore të jetë plotësisht e gatshme”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” paralajmëron qytetarët të mos i hapin pusetat e kanalizimit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka paralajmëruar qytetarët që të mos i hapin pusetat e kanalizimit, pas paralajmërimeve nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për vërshime.
Kjo pasi sipas KRU-së ujërat e shiut mund të depërtojnë nëpër shtëpi.
“Përgjatë reshjeve të dendura, ndalohet rreptësisht hapja e pusetave të kanalizimit në mënyrë që ujërat e shiut të depërtojnë brenda në kanalizim, me ç’rast uji mund të depërtojë në shtëpitë tuaja”, thuhet në thirrjen e KRU-së.
Në apel thuhet se linjat e kanalizimit (ujërat fekale) në qytetin e Prishtinës janë në gjysmën e tyre linja të vjetra, të cilat janë dimensionuar dhe vendosur shumë kohë më përpara.
Tutje thuhet se sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta (atmosferike dhe fekale) dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit në rastet kur ka reshje të vrullshme apo të shumta shiu.
Në apel theksohet nevoja për t’i ndarë ato.
“Përderisa qyteti i Prishtinës pothuajse në çdo lagje ka pësuar ndryshime në ndërtime të larta – objekte banesore – rritje e tejskajshme e numrit të banorëve, aty ku janë të përbashkëta, duhet ndarë”, thuhet tutje në thirrjen e KRU-së.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër (18 dhe 19 nëntor) si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër (18 dhe 19 nëntor) si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës.
Paralajmërime për vërshime, në kryeqytet anulohet mësimi
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar të martën për anulim të mësimit për shkak të reshjeve të shiut dhe paralajmërimeve për vërshime.
“Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet. Ky vendim është marrë edhe në koordinim me Kryetarin e Kryeqytetit, dhe është masë preventive e sigurisë për fëmijët tanë”, thuhet në njoftim të kësaj drejtorie të martën në mëngjes.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Arsimit nëse edhe në komunat e tjera është anuluar mësimi dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër (18 dhe 19 nëntor) si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës.