Arbëri

Reshitaj: Mbrojtja efikase e mjedisit nënkupton zhvillim ekonomik

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj mori pjesë në Forumin e 5-të me Hisedarët, ku operatori “Sharrcem” feston edhe 5 Vjetorin e Raportimit të Përgjegjësisë Sociale dhe Qëndrueshmërisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Zhvillimi dhe implementimi i Sistemit të Menaxhimit të Mjedisit (certifikimi sipas ISO 14001 në 2013), pajisja me Leje të Integruara nga MMPH (2014), zvogëlimi i emisioneve të pluhurit fluturues dhe monitorimi i vazhdueshme i emisioneve të pluhurit, ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave, përmirësimi i pasazhit dhe kthimi i tyre në gjendje natyrale, ka ndikuar që Sharrcemi si një prej kompanive më të mëdha industriale në vend të futet në rrugën e mirë të Menaxhimit të Integruar të Mjedisit”, vlerësoi Reshitaj.

Ajo ka shtuar se, “fuqizimi i sistemit për monitorimin e gjendjes së mjedisit, rritja e kontrollit në zbatimin e legjislacionit mjedisor si dhe aplikimi i procedurave dhe standardeve mjedisore përballë kërkesave për shfrytëzim të resurseve natyrore dhe zbatim të projekteve që vlerësohet të kenë ndikim në mjedis janë prioritet i mandatit tim si ministre e MMPH-së”.

“Ekziston parimi se Ekonomia dhe Mjedisi janë dy sektorë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Në shumë raste, mjedisi mund të shihet si barrierë për bizneset dhe për zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Por megjithatë, bizneset kanë filluar të kuptojnë drejt se mbrojtja efikase e mjedisit është në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, e me këtë nënkupton zhvillim ekonomik, mirëqenien sociale, dhe asnjëherë si barrierë për zhvillim”, shtoi Reshitaj.

Në fund Reshitaj i inkurajojë të gjithë operatoret tjerë që gjatë muajve dhe viteve në vijim të përmbushin obligimet ligjore për respektimin e standardeve mjedisore.