Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor u numëruan sfidat me të cilat përballet Reparti i Psikiatrisë për Fëmijë e Adoleshentë në QKUK. Për të parë situatën nga afër, këtë repart të premten e vizitoi Avokati i Popullit. E gjatë kësaj vizite u theksua nevoja për investim në zgjerimin e hapësirës infrastrukturore dhe për shtim të stafit profesional
Reparti i Psikiatrisë për Fëmijë e Adoleshentë në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK funksionon me vetëm shtatë shtretër për hospitalizim.
Sipas menaxhmentit të Klinikës, aty në bazë ditore trajtohen rreth 100 pacientë.
Mungesa e hapësirave të mjaftueshme dhe e personelit mjekësor janë dy nga sfidat që iu numëruan Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, gjatë vizitës që ai i bëri këtij reparti, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.
“Nuk është kapacitet i mjaftueshëm, duke marrë në konsideratë faktin që kemi nevojë për një hapësirë tjetër për trajtimin e fëmijëve dhe adoleshentëve që abuzojnë me substanca psiko-aktive, sepse ne e kemi repartin për sëmundje të varësisë në kuadër të klinikës së Psikiatrisë por nuk kemi hapësira për t’i trajtuar fëmijët që abuzojnë me këto substanca”, ka thënë Faton Kutllovci, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë.
E Avokati i Popullit konstatoi se ka mangësi në trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor.
“Ne jemi të vetëdijshëm që ka nevojë për investime në rritjen e kapaciteteve, hapësirave por edhe në rritjen e kapaciteteve profesionale, sepse nëse 1 mijë raste, nëse trajtohen brenda një muaji, konsideroj që është ngarkesë edhe për stafin aktual, çdo punë me ngarkesë përveç që shkakton problem për stafin, mund të jetë edhe dekurajuese dhe mund të jetë edhe pastaj me probleme edhe në profesionalizimin e shërbimeve”, u shpreh Naim Qelaj.
KOHA vitin e shkuar ka raportuar se si Klinika e Psikiatrisë nuk i plotëson kushtet as për trajtimin e personave mbi moshën 65-vjeçare. Përjashtimi i pensionistëve nga kjo klinikë është i normuar nga vetë SHSKUK-ja. E për këtë, Avokati i Popullit ka dalë edhe me raport dhe rekomandime.