Vlera e ndërtimit të repartit të pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës është më shumë se 700 mijë euro. Paratë për ndërtimin e tij i ka dhënë shumë vjet më parë shoqata humanitare “Nënë Tereza” me seli në Gjermani. Objekti është ndërtuar, por prej pesë vjetësh funksionalizimi ka mbetur peng i një pagese prej 50 mijë eurosh që Ministria e Shëndetësisë është dashur t’ia bënte shoqatës.
Pagesën nuk e ka bërë me arsyetimin që nuk ka bazë ligjore.
Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se janë duke u bërë përpjekje për ta gjetur një zgjidhje.
“Çështja është që gjatë ndërtimit pa aprovimet e mekanizmave kanë kryer pune shtesë e që nuk kanë pasur kontratë as me SHSKUK-në e as me Ministrinë e Shëndetësisë, e pastaj nuk kanë pasur formë qysh t’i bëjnë pagesat. Kështu diçka është”, tha Krasniqi.
Drejtoreshë e Spitalit të Mitrovicës është Luljeta Bajçinca Zhubi. Ajo ka treguar se në çfarë vështirësish kalojnë si pasojë e mosfunksionalizimit të repartit dhe ka alarmuar se ka filluar të vetëshkatërrohet.
“Në takimin javën e kaluar, ministri na tha një lajm shpresues. Tha që sot po më duket që e kemi gjetur zgjidhjen, ashtu nyjën se si të bëhen këto pagesa, dhe që të fillohet shfrytëzimi i spitalit. Por, duke mos e shfrytëzuar, ka filluar të vetëdëmtohet”, tha Bajçinca Zhubi.
Ajo ka folur edhe për vështirësinë e profesionistëve shëndetësorë, për të cilët ka thënë se punojnë në kushte minimale pune.
“Tepër. Ne e dimë që mosha fëmijërore është një moshë shumë e ndejshme dhe popullata jonë ka një grup të konsiderueshëm të kësaj grupmoshe e edhe graviton një regjion i madh. Kushtet ku punojnë pediatrit janë tejet, tejet të vështira. Ashtu edhe ne kur hapim ndonjë vend për pediatër të ri, nuk aplikojnë, sepse nuk është joshëse që ata karrierën ta vazhdojnë në një vend ku nuk ka kushte”, tha ajo.
Javën e kaluar, në takim me drejtues të institucioneve shëndetësore, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka premtuar funksionalizimin e këtij reparti.
Premtim të njëjtë patën dhënë edhe pararendësit e Latifit. Kjo dëshmohet në këtë komunikatë të 4 vjetëve me parë që ende është në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë.
E përmes një publikimi, në vitin 2017 donatori kishte deklaruar që ky repart do të funksionalizime së shpejti.
Ky repart ka 1200 metra katrorë. Aty do të jenë 26 shtretër.
