Arbëri

Remzi Shala dënohet me nëntë vjet e gjysmë burgim për krime lufte

Remzi Shala është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me nëntë vjet e gjysmë burgim për krime lufte ndaj popullsisë civile.

Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 24 maji i vitit 2019.

Shala, që njihej me nofkën “Molla e Kuqe”, dyshohet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 26 qershor 1998 në Duhël kishin marrë peng një person për të cilin dyshonin se po bashkëpunonte me forcat serbe. Shala akuzohej se e kishte kapur nga duart në shtëpi dhe e kishte dërguar viktimën në një vend tjetër duke e mbajtur të mbyllur në disa vende.

Përshkrimi i Gjykatës për vendimin ndaj Shalës:

Se gjatë kohës së luftës në Kosovë, me datën 26 qershor 1998 rreth orës 23:00, në fshatin Duhël, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në uniformë dhe i armatosur me armë të gjatë, së bashku me 5 – 6 pjesëtarë të UÇK-së të paidentifikuar, të armatosur dhe me maska në fytyrë, për shkak të dyshimit se H.P., është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe e kanë kanë marrë peng, në atë mënyrë që te dyert e oborrit e kanë thirrur emrin e tij dhe pasi i dëmtuari A.P., , djali i viktimës, i përgjigjet thirrjes dhe i fton të hyjnë, të njëjtit kanë hyrë në oborrin e shtëpisë, i akuzuari i cili u printe dhe ishte i vetmi pa maskë në fytyrë, ka kërkuar të takohet me viktimën H.P., i cili në atë moment ishte brenda në shtëpi, pas njoftimit nga A, ai del në oborr, ku i akuzuari e pyet “a je ti H.”, pas përgjigjes se të dëmtuarit “po unë jam”, pas një bisede të shkurtë, i akuzuari kërkon prej tij që të shkojë me ta se “dëshirojmë me pas një bisedë më të gjatë me ju”, kur viktima thotë “po, ku të doni vetëm të marr cigaret”, i akuzuari i thotë “hajde se ne i kemi të gjitha” dhe kur kanë dal nga dyer të oborrit, viktimën e kanë kapur nga duart duke vazhduar në këmbë në drejtim të lagjes së Qatani dhe pas disa çaste i dëmtuari A.P., i sheh dritat e automjetit duke lëvizur nga lagja Qatani në drejtim të fshatit Grejqevcë dhe pas mbajtjes së tij për disa ditë të mbyllur në vende të paidentifikuara, me datën 01. korrik 1998, trupi i pajetë i viktimës H.P., është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël.

Është hera e dytë që Themelorja në Prizren e dënoi Shalën. Më 2019, e pati dënuar me 14 vjet burgim për bashkëkryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”. Gjykata e Apelit e ka ulur dënimin në 10 vjet burgim, pas ankesës së mbrojtjes. Ndërkaq Gjykata Supreme e ktheu rastin në shkallën e parë në maj të vitit 2020. Në paraqitjen e fjalës përfundimtare të mbrojtjes javën e shkuar, Remzi Shala ka deklaruar se nuk është fajtor.