Me paraqitjen e fjalës përfundimtare të mbrojtjes ka përfunduar të enjten rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile. Shala para trupit gjykues ka deklaruar se nuk është fajtor për veprën penale që i vihet për barrë. Avokati i tij, Blerim Mazreku, ka kërkuar aktgjykim lirues. E aktgjykimi do të shpallet gjatë javës së ardhshme
Ka përfunduar të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile.
Në paraqitjen e mbrojtjes para trupit gjykues, i akuzuari Shala është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet për barrë.
Blerim Mazreku, avokat i Shalës, ka theksuar se pretendimet e Prokurorisë Speciale nuk mbështeten në prova dhe ka kërkuar nga trupi gjykues që klienti i tij të lirohet nga akuza.
“Gjykata Supreme ka qenë e qartë në udhëzimin e saj, të ofrohen prova për të vërtetuar faktet, pa të cilat nuk mund të shpallet një person fajtor për krime lufte”, ka thënë Mazreku.
i ka bërë thirrje trupit gjykues që të analizojnë edhe një herë vendimin e Supremes, sikurse edhe fjalët e shtuara në dispozitiv të aktakuzës nga Prokuroria e shtetit, duke marrë për bazë komentet ekzistuese dhe vendimet lidhur me këto ndryshime.
“Dhe pastaj t’i analizoni provat dhe jam i bindur që ndaj të mbrojturit tim do të shpallni aktgjykim lirues, sepse asnjë provë e vetme nuk i mbështet këto pretendime, që edhe ashtu vetë si të tilla nuk përbëjnë vepër penale të krimeve të luftës siç pretendon Prokuroria”, ka theksuar ai.
Por prokurori special, Haki Gecaj, i ka kundërshtuar deklaratat, duke theksuar se i pandehuri është akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile dhe se nuk është i akuzuar për marrje të pengjeve, siç është referuar mbrojtësi i të akuzuarit.
“Por në bazë të gjendjes së përshkruar faktike kemi të bëjmë me veprimin inkriminues marrje peng gjatë kohës së luftës, dhe ky është përmirësimi që është bërë... Andaj për këtë arsye ai është akuzuar për veprën penale, për të cilën janë mbajtur shqyrtimi gjyqësor dhe rigjykimi”, ka thënë Gecaj.
Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gani Hoxha, ka miratuar përgjigjen e prokurorit dhe ka kundërshtuar fjalën përfundimtare të mbrojtësit.
Por mbrojtësi Mazreku ka insistuar se vendimi i Apelit, i cili është cekur nga prokurori, është anuluar nga Supremja.
“Vendimi në të cilin po bazohet prokurori i shtetit, pra vendimi i gjykatës së Apelit, veçse është konstatuar i gabuar dhe është anuluar”, ka thënë ai.
Gjykata Themelore në Prizren e pati dënuar Shalën me 14 vjet burgim në korrikun e vitit 2019 për bashkëkryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”. Gjykata e Apelit e ka ulur dënimin në 10 vjet burgim, pas ankesës së mbrojtjes. Ndërkaq Gjykata Supreme e ktheu rastin në shkallën e parë në maj të vitit 2020.
Aktgjykimi për këtë rast do të shpallet gjatë javës së ardhshme.