Rrustem Mustafa – Remi tha se vetë ka nisur ta ushtronte detyrën e komandantit të Zonës së Llapit pas vrasjes së Zahir Pajazitit dhe se formalizimi i erdhi nga Shtabi në korrikun e vitit 1998. Në ditën e dytë të dëshmisë së tij ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Mustafa foli për të ndaluarit në këtë zonë dhe për trajtimin e tyre
Rrustem Mustafa-Remi ka vazhduar dëshminë të mërkurën në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Në ditën e dytë të dëshmisë, Remi është pyetur për kodet e nofkat e anëtarëve, për emërtimet e njësive të UÇK-së, si dhe për pajisjet, mënyrën dhe intervalet e komunikimit mes tij dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Në pyetjen se kush e ka caktuar komandant të Zonës Operative të Llapit, Mustafa tha se ka filluar ta ushtronte vetë atë pozitë pas vrasjes së Zahir Pajazitit, kurse miratimi formal, sipas tij, i erdhi diku mes korrikut dhe gushtit të vitit 1998, kur kjo zonë u vizitua nga Jakup Krasniqi dhe Bislim Zyrapi.
“Me rënien e komandantit Zahir Pajaziti unë marr përsipër dhe organizoj trupat e UÇK-së në zonën time, kurse miratimi nga Shtabi i përgjithshëm për pozicionin tim ka ardhur në korrik ose gusht të vitit 1998, miratim formal”, ka thënë ai.
Remi tha se në Zonën e Llapit ishin disa pika ndalimi, ku, sipas tij, aty janë mbajtur njerëz të cilët janë munduar të pengonin misionin e UÇK-së. Shtoi se ndaj të ndaluarave nuk kishte procese gjyqësore dhe se ata ndaloheshin me urdhra verbale.
Sipas tij, të ndaluarit kanë mundur të vizitoheshin nga familjarë, organizata vendore e ndërkombëtare dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Pyetjet nga prokurorja Claire Lawson ishin lidhur me njohuritë e Shtabit të Përgjithshëm për ndalimin e këtyre personave që konsideroheshin bashkëpunëtorë të armikut. Pastaj nëse Shtabi ka nxjerrë rregullore se si të trajtoheshin të ndaluarit dhe nëse diskutohej për ta me udhëheqësit në bazën qendrore.
Remi tha se këto tema nuk ishin prioritet në atë kohë.
“Unë e kam thënë edhe atëherë besoj që nuk ka qenë temë interesante për mua që ta mbaj në mend”, ka shtuar ai.
Mustafa është pyetur edhe për një të ndaluar të nacionalitetit serb, për të cilin tha se kur është zënë ishte me armë.
“Personi që ka punuar në sigurimin publik serb dhe ka rënë në pozitat e ushtarëve të mi i armatosur dhe është kapë. Ka qenë i uniformuar, me pushkë të gjatë dhe është ndeshur me ushtarët e mi në pozicionet e UÇK-së”, ka thënë ai.
Prokurorja shpeshherë u referohej transkriptimeve të intervistimit të Mustafës në gjykatat e Kosovës, sikurse edhe librave të shkruar për luftën nga i akuzuari Jakup Krasniqi dhe autorë të tjerë.
Mustafa u shpreh se informacionet në këto dokumente duhet të kenë përparësi, pasi që atëkohë, sipas tij, kishte memorie më të freskët.