Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Reçica në takim me përfaqësues të KfW-së: Aftësimi profesional çelës i zbutjes së papunësisë

Zyra për media e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, bën me dije se ministri Skender Reçica priti sot në takim përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) me të cilët diskutuan rreth projektit ’VET Challenge Fund’’, që, siç thuhet në njoftim, synon të ndihmojë Kosovën, veçanërisht në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.

“Ministri Reçica tha se ndjehet i lumtur që Kosova është pjesë e këtij projekti të rëndësishëm dhe shprehi falënderimet për Qeverinë gjermane që vazhdimisht po ndihmon Kosovën në projekte të tilla, sidomos për rritje të punësimit. Ai tha se aftësimi profesional, veçanërisht i të rinjve, është çelësi për zbutje të papunësisë. Gjithashtu, hulumtimi i nevojave të tregut të punës dhe orientimi i të rinjve në karrierë janë domosdoshmëri, për çka ministri kërkoi mbështetje nga Qeveria gjermane, në këtë rast nga KfW”, thuhet në njoftimin për media të kësaj ministrie.

Sipas njoftimit, ministri theksoi se MPMS, bashkë me partnerët e saj, me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASht) dhe parnterët tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë po punon që të ngrit nivelin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, në mënyrë që profilet e arsimit profesional të jenë në përputhje me nevojat e tregut të punës, rrjedhimisht, të rrisin punësimin.