Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka deklaruar se paga minimale nuk ka ndikim te skemat pensionale në rast se zbatohet plotësim ndryshimi i ligjit për kategoritë e dala nga lufta.
Reçica ka thënë për KosovaPress se në dhjetor të vitit 2017, Këshilli Ekonomik Social ka nxjerr një rekomandim për Qeverinë e Kosovës që paga minimale nga 130-170 sa është e shkallëzuar në 250.
Sipas tij, para se të merrej ky vendim në këshill por edhe tash para disa dite janë konsultuar me ekspert ligjor për të interpretuar çështjen e ndikimin të ndryshimit të pagës minimale tek skemat pensionale.
“Ajo që është thënë atëherë dhe tash para disa dite thuhet qartë se paga minimale nuk ka ndikim te skemat pensionale që menaxhohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në rast se zbatohet ligji përkatësisht plotësim ndryshimi i ligjit për kategoritë e dala nga lufta ku flitet atje një nen për kategorizimin dhe përderisa nuk zbatohet ky nen, përkatësisht ky ligj në tërësi, nëse lëvizet paga minimale, natyrisht që do të ketë efekt te një pjesë. Ne jemi të përkushtuar që aktet ligjore që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës, ne duhet të fillojmë dhe jemi duke filluar me zbatimin e tyre dhe unë mendoj që edhe tani kur po flasim, edhe tani pas miratimit të rezolutës për rritjen e pagës minimale, duhet ta kemi një fakt të qartë se paga minimale në vend duhet të lëvizet“, tha ai.
Ai ka thënë se do të mbetet në anën e punëtorëve dhe se do të angazhohet që paga minimale të ndryshojë.
“Ka pasur zëra pse prej 170 në 250 dhe përgjigjja ime ka qenë që po të shikohet koha prej kur është lëviz së fundi herë paga minimale e deri në propozimin që ne kemi marrë në vitin 2017,është një kohë bukur e gjatë. Janë vite në pyetje dhe përkundër krejt asaj që është bërë në drejtim të krijimit të kushteve më të mira për të bërit biznes, natyrisht nuk ka pas një lëvizje sa i përket lëvizjes që sado pak të ndikoj te fuqia punëtore dhe në këtë drejtim unë vazhdoj të mbetem në anën e punëtorëve dhe dua të bëj zotimin tim publik që do të angazhohem fuqishëm që paga minimale në vend të lëvizet”, tha ai.
Përndryshe, ministri Reçica ka njoftuar se ky është viti i dytë i punës në reformat në aspektin ligjor për fushën që i takon.
Ai gjithashtu ka njoftuar se do të fillojnë gjatë vjeshtës së këtij viti ku do të bëjnë testin e varfërisë, për të hyrat familjare dhe nga ajo do të burojnë kriteret që do të aplikojnë në bazë të ligjit për skemat sociale dhe me qëllim që të ketë një asistencë më cilësore.