Kleriku Shan Zefi ka reaguar pas raportimeve në Kosovë të cilat janë publikuar pas intervistës së tij për radion publike gjermane “Deutschlandfunk” ku ai citohet të ketë thënë: “Si mysliman nuk ke shpirt shqiptar”.
Në një postim në Facebook, kleriku katolik shqiptar ka thënë se raportimet e dala nga intervista e tij në radion gjermane janë “të pasakta”. Ai ka mohuar se ka thënë një gjë të tillë, duke e quajtur citimin “manipulim” të fjalëve të tij.
“Pretendimi se unë kinse kam deklaruar se: ‘si musliman nuk ke shpirt shqiptari’ është një shtrembërim i qëllimshëm dhe manipulim i fjalëve të mia. Një formulim i tillë nuk përfaqëson mendimin tim në intersvistë, dhe as qëndrimin tim publik, të cilin e kam dëshmuar për dekada të tëra përmes veprës sime meshtarake, shkencore dhe kombëtare”, ka shkruar në Facebook.
Siç ka thënë Shan Zefi, në intervistë ka mbrojtur identitetin dhe traditën shqiptare “duke theksuar se shqiptaria është një vlerë historike, kulturore dhe shpirtërore që duhet ruajtur nga ndikimet e huaja që nuk përputhen me traditën dhe kulturën tonë kombëtare”.
Çdo interpretim tjetër, nga kjo që ka shprehur në Facebook, Shan Zefi thotë se është tendencioz dhe synon të krijojë përçarje ndërfetare dhe të dëmtojë figurën e tij publike.
Edhe
Radioja gjermane transmeton deklaratën e klerikut katolik shqiptar: Si mysliman s’ke shpirt shqiptar
“Po bëhen përpjekje që intervista të publikohet e plotë dhe pa ndërhyrje, në mënyrë që opinioni publik të gjykojë mbi bazën e fakteve dhe jo të interpretimeve të pjesshme apo të manipuluara”, ka shkruar ai.