Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Reagimet për marrëveshjen për targat

16:00 - Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se është shumë mirë që është arritur marrëveshja dhe se është dëshmi se sa shumë mund të arrihet kur palët duan të negociojnë.

“Shumë me rëndësi që paqja është ruajtur dhe zgjidhja është gjetur në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për krizën e targave. Kjo ka tregon se sa shumë mund të arrijmë së bashku kur Serbia e Kosova dëshirojnë të negociojnë e të arrijnë kompromis”, ka shkruar Viola von Cramon.


13:44 - Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, ka thënë se është shumë e rëndësishme që u gjet një zgjidhje e përkohshme për çështjen e targave.

“Shumë e rëndësishme që u gjet një zgjidhje e përkohshme për çështjen e targave. Nënvizon nevojën për të ecur përpara në mënyrë konstruktive në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar Berger në Twitter.


13:43 - Ministria e Jashtme e Austrisë e ka vlerësuar lajm të shkëlqyer arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për targat.

“Lajm i shkëlqyer për gjithë rajonin dhe BE-në. Urime të përzemërta nga Austria për të gjithë të përfshirët në këtë sukses për mendimin praktik dhe përparimin! Kjo i jep shtytje pozitive Samitit BE- Ballkan Perëndimor që mbahet javën e ardhshme në Brdo”, thuhet nga Ministria e Jashtme e Austrisë.

 

 


13:40 - Ambasada e Italisë në Kosovë e ka mirëpritur rezultatin e negociatave për targat, ndërsa kanë nxitur Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve gjithëpërfshirëse të tyre.

“Ne mirëpresim rezultatin e negociatave për targat e veturave dhe nxisim si Kosovën ashtu edhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mënyrë që të bëjnë përparim në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

Edhe zyra diplomatike e Belgjikës në Prishtinë e mirëpriti marrëveshjen e sotme mes Kosovës dhe Serbisë. 

 


13:36 - Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel do të ndikojë në ulje të tensioneve mes Kosovës e Serbisë.

“Kjo marrëveshje që u arrit me ndërmjetësimin e BE-së do të ndihmojë menjëherë në reduktimin e tensioneve mes Kosovës e Serbisë dhe do të sigurojë lirinë e lëvizjes. Në diplomaci nevojiten hapa shtesë në kërkim të një zgjidhje përfundimtare të bazuar në besimin dhe respektin reciprok”, ka shkruar Bushati në Twitter.

 

 


13:34 - I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, ka thënë se është një lajm i mirë arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket targave.

“Lajm i mirë nga Brukseli - një shembull se si riangazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët e zakonshëm. Falë Lajçakut që lehtësoi arritjen e marrëveshjes dhe për partnerët kosovarë dhe serbë për gatishmërinë dhe zgjuarsinë e tyre për të negociuar”, ka shkruar Giacobbe në Twitter.


13:26 - Presidentja e Komisionit Evropian. Ursula von der Leyen, e ka vlerësuar marrëveshjen e arritur për targat mes Kosovës dhe Serbisë, si një lajm shumë të mirë për rajonin.

Von der Leyen ka thënë se tash është koha të vazhdohet dialogut.

“Është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti. Është mirë për gjithë rajonin. Dialogu tash duhet të vazhdojë”, ka shkruar von der Leyen në Twitter.

 

 


13:21 - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Anthony Godfrey, e ka mirëpritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së targave.

Godfrey tutje ka thënë se çdo është e mundur përmes një dialogu serioz dhe të përkushtuar.

“Lajm i shkëlqyer! Çdo gjë është e mundur përmes një dialogu serioz dhe të përkushtuar”, ka shkruar Godfrey në Twitter.

 

Artikuj të ngjashëm