Reagime të shumta kanë përcjellë arritjen e dakordimit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat ilegale. Marrëveshja është mirëpritur nga SHBA-ja, derisa me sqarime për të kanë dalë BE-ja e Serbia. Bashkimi Evropian ka thënë se është hapur rruga për diskutime më të rëndësishme, kurse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për normalizim të marrëdhënieve kanë kusht tjetër, formimin e Asociacionit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur arritjen e dakordimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një deklarate, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se me marrëveshjen është bërë një hap i madh para drejt garantimit të paqes e stabilitetit në rajon.
“SHBA-ja mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me masat për të evituar përshkallëzimet e mëtutjeshme. Ne përgëzojmë dakordimin e dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve, nën mbikëqyrjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbështesim dialogun e ndihmuar nga BE-ja, si rruga më e mirë për ta avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës. Ne e mirëpresim vendimin e palëve për të vënë interesin e gjithë njerëzve në rend të parë të vendimmarrjeve të tyre dhe të marrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve. Të dyja palët kanë bërë një hap të madh para sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin. SHBA-ja përshëndet negociatat konstruktive dhe inkurajon përparim të mëtutjeshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Price.
Të mërkurën vonë kryenegociatorët, ai i Kosovës dhe i Serbisë, u dakorduan për zgjidhje të situatës së krijuar nga paralajmërimet për përshkallëzim të situatës me të filluar gjobitja e serbëve që posedojnë targa ilegale.
Po ashtu palët u pajtuan që të vazhdohet dialogu për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare në bazë të planit franko-gjerman.
Që të dyja palët marrëveshjen e konsideruan fitore të tyre.
Por të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën nuk mund të vazhdohet pa formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Është plotësuar një kusht – asnjë gjobë, sekuestrim i makinës, targa, asgjë. Ju keni një kusht tjetër - formimin e AKS-së. Kur të formohet Asociacioni, atëherë do të kalojmë në diçka tjetër”, ka deklaruar Vuçiqi.
Vuçiqi me tone të ashpra i është përgjigjur deklaratës së përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, e në të cilën, ndër tjerash, përmendet mundësia e ndërprerjes së procesit të bisedimeve nëse palët e bllokojnë atë.
“Kërcënoni të përfundoni bisedimet. Nuk ka problem, ndaloni ata tani. Dhe çfarë do të bësh atëherë, a mendon vërtet se dikush serioz në botë mund të mburret se ka ndërprerë negociatat dhe bisedimet. Si do t'i zgjidhni problemet? Ne themi se nuk e duam Kosovën në OKB. Dhe çfarë do të bëni atëherë? Të na bombardojnë, të na kërcënojnë me sanksione, në bazë të cilit akt, çfarë, kur korniza e plotë ligjore është në favor të Serbisë”, ka thënë ai.
Sa u përket targave, Vuçiqi ka pranuar se nuk do të lëshojnë të reja, derisa ka thënë se ato ekzistuese do të ketë mundësi të vazhdojnë regjistrimin e tyre, e mund të lëvizin pa telashe.
Nga BE-ja kanë thënë se dakordimi i një nate më parë është vetëm fillimi i punës së një procesi më të gjerë.
“Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, ka thënë se do të ftojë të dy liderët në Bruksel të punojnë e të vazhdojnë punën për normalizim të marrëdhënieve. Sigurisht puna vazhdon. Nuk është fundi i procesit, marrëveshja e arritur është vetëm fillim i punës, me të cilën shpresojmë ta largojmë këtë gjendje, të marrjes së vazhdueshme me krizë e të kalojmë në një fazë tjetër, të merremi me çështje më të qëndrueshme”, ka deklaruar zëdhënësi në Bashkimin Evropian, Peter Stano.
Në bazë të deklaratës së përfaqësuesit të lartë të BE-së, Kosova nuk do të gjobisë serbët që posedojnë targa ilegale e Serbia nuk do të lëshojë targa me shkurtesa të qyteteve të Kosovës.
BE-ja ndërkaq ka siguruar se në kontest të propozimit franko-gjerman do të adresohen çështjet dhe parimet që lidhen me normalizim të marrëdhënieve.