Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rashiq: Deklarata ime për pronat e Manastirit të Deçanit s’ishte plotësisht e saktë

Nenad Rashiq

Nenad Rashiq

Foto: Driton Paçarada

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk ishte plotësisht e saktë deklarata e tij, se kryeministri Albin Kurti, i ka thënë se vendimin për kalim në pronësi të Manastirit të Deçanit të 24 hektarëve tokë po e merrte hatri i tij. 

Në një sqarim lidhur me deklaratën e dhënë në një intervistë për “Radio Gorazhdevcin”, Rashiq, ka thënë se e ka ngatërruar fjalinë “këtë e kemi bërë për ty” të Kurtit, me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së patriarkut serb.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjatë një paraqitjeje në podkastin e Radios Gorazhdevcin, kam deklaruar se gjatë marrjes së vendimit për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit, kryeministri Kurti më ka thënë: ‘Këtë e kemi bërë për ty’. Kjo deklaratë e imja nuk ishte plotësisht e saktë, pasi e kam ngatërruar këtë fjali me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së Patriarkut serb, kur kjo fjali ishte thënë”, thuhet në sqarimin e Rashiqit. 

Ai ka thënë se gabimi i tij ka qenë i paqëllimshëm dhe ky ngatërrim i ngjarjeve ka ndodhur për shkak se kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë. “Kërkoj falje nëse deklarata ime ka krijuar konfuzion”, ka shkruar Rashiq. 

Në këtë intervistë Rashiq tha se Kurti i kishte thënë se po e merrte vendimin për tokën, "hatri i tij". 

“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime. Kryeministri më telefonoi para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkak teje’”, tha Rashiq.

Deklarata e Rashiqit ka shkaktuar reagime të shumta. 

Organizata e Veteranëve të Luftë së UÇK-së në një reagim ka thënë se kjo tregon fytyrën e vërtetë të pushtetit të Kurtit dhe thonë se kundërshtojnë ashpër çdo lojë me pronën dhe territorin e Kosovës.
Ndërkohë zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka theksuar se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastiritt ë Deçanit është bërë vetëm në funksion të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në reagimin e tij, Manxhuka ka thënë se ajo që ka “ngatërruar” ministri Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitën e Patriarkut Porfirije në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, duke thënë se kjo çështje nuk lidhet me vendimin për zbatimin e aktgjykimit për tokën e Manastirit të Deçanit.

Rashiq, në intervistë ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka pasur edhe kundërshtime të hapura. Por, ai thotë se një nga vendimet më të rëndësishme ishte regjistrimi i 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit. 

Vendimi ishte marrë nga Qeveria e Kosovës më 13 mars të vitit 2024, ndërsa Agjencia Kadastrale e Kosovës ia regjistroi këtë tokë në emër të Manastirit të Deçanit disa ditë më vonë.  

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje kishte zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese pati vendosur në favor të Manastirit.