Publikimi i raportit “Performanca e sistemit të drejtësisë në trajtimin e krimeve serioze” ka nxitur përplasje të Prokurorisë Speciale të Kosovës me Institutin e Kosovës për Drejtësi. Ka qenë deklarimi se është evidentuar një rast kur një i akuzuar për krim të organizuar nuk është gjykuar në mënyrë meritore “për faktin se, sipas gjykatësit, prokurori që kishte ngritur aktakuzën, Blerim Isufaj, nuk kishte nxjerrë aktvendim, për fillimin e hetimeve”, ai që ka nxitur përplasjen.
Të mërkurën, IKD-ja publikoi një raport me të cilin paraqiti gjetjet që “evidentuan regres në efikasitetin e Prokurorisë Speciale në krahasim me vitin paraprak”. Të premten, Prokuroria Speciale është marrë me njërin prej rasteve për të cilat ka shkruar IKD-ja, duke e quajtur të pasaktë raportimin e IKD-së.
“Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë të opinonit publik, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes këtij reagimi, sqaron se pretendimi i këtij Raporti në faqen 11 dhe 12 se gjoja prokurori i rastit nuk kishte nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe për zgjerimin e hetimeve ndaj të pandehurit, për çka aktakuza ndaj këtij të pandehuri u refuzua nga Gjykata, është i pasaktë dhe nuk qëndron. Rasti të cilit i referohet ky raport që nga marrja në kompetencë të lëndës nga ana e PSRK-së është trajtuar me profesionalizëm të lartë, ku sipas propozimit të prokurorit rasti është veçuar nga Gjykata dhe nga një lëndë që ishte fillimisht janë krijuar dy, kurse njëra prej tyre tashmë ka përfunduar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe janë dënuar pesë të akuzuar, përfshirë edhe të apostrofuarin A.N., ndërsa lënda tjetër, pas ankesës së prokurorit, ende është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, prandaj PSRK-ja rezervohet të deklarohet pa përfunduar procedura gjyqësore. Për të gjithë të pandehurit në këto raste ka pasur aktvendim për fillim të hetimit përkatësisht aktvendim për zgjerimin e hetimit, në të kundërtën, gjykata nuk do të kishte mundësi të merrte vendim meritor”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.
PSRK-ja e ka quajtur tendencioz raportin e IKD-së duke thënë se aty nuk janë përfshirë komentet e Prokurorisë.
“PSRK-ja sqaron edhe një herë opinionin se ka aktvendim për fillim të hetimeve, përkatësisht aktvendim për zgjerim të hetimeve për të gjithë të pandehurit e përfshirë në këtë rast, i cili është duke u trajtuar me ankesë në shkallë të dytë. Konsiderojmë se raporte të tilla, të cilat iu referohen rasteve në mënyrë selektive dhe veçanërisht rasteve, të cilat janë ende në proces gjyqësor, e aq më tepër kur nuk trajtojnë as argumentet kundërshtuese të paraqitura nga palët, në asnjë rrethanë nuk i shërbejnë hulumtimit dhe analizës profesionale të punës së institucioneve të drejtësisë, por vetëm dezinformimit dhe pasqyrimit të njëanshëm të çështjes, duke tentuar të njolloset puna e prokurorëve për interesa të kujtdoqoftë”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Edhe
Evidentohet rritje e krimeve e mungesë prokurorësh
Kundër këtij reagimi, ka dalë pak orë më pas IKD-ja që ka thënë se Prokuroria “tenton të krijojë amulli përballë dështimit të saj, të konstatuar nga gjykata”.
IKD-ja ka thënë se sipas arsyetimin të Gjykatës, aktakuza, për të cilën ka reaguar PSRK-ja, është refuzuar “për shkak se prokurori që e kishte ngritur këtë aktakuzë, Blerim Isufaj, s’kishte nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve”.
Sa i përket akuzave për mospërfshirje të komenteve, IKD-ja ka thënë se para publikimit të raportit e ka dërguar raportin në të gjithë akterët relevantë. Megjithatë, kjo organizatë ka thënë se PSRK-ja nuk ka dhënë komente për vendimin e gjykatës.
“Lidhur me çështjen konkrete, komentet e PSRK kane treguar të dhëna të ndryshme sa i përket rrjedhës procedurale të këtij rasti. Por, nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me çështjen kruciale për këtë çështje: vendimin e gjykatës që konstaton se në rastin konkret nuk është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Komenti i PSRK përfundon me ‘[p]ërkundër faktit se PSRK planifikon të parashtrojë Ankesë ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë në bazë të te cilit ndaj të akuzuarit A.N. është marrë Aktgjykim refuzues në bazë të nenit 363 të KPP-së, tani për tani PSRK nuk e komenton Vendimin e Gjykatës ngase është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit komentimi i vendimeve të Gjykatës nga ana e Prokurorisë, sidomos në rastet kur vendimi nuk është i formës së prerë’. Pra, PSRK fillimisht nuk ka dhënë komente për vendimin e gjykatës që konstaton mungesën e aktvendimit për fillimin e hetimeve si dhe po ashtu nuk ka treguar se kjo lëndë është në Gjykatën e Apelit, por vetëm se planifikohet të ushtrohet ankesë”, thuhet në përgjigjen e IKD-së.
IKD-ja ka thënë se “Arsyetimet e PSRK nuk mund të merren si të mirëqena nga IKD, përderisa të kundërtën e tyre e ka thënë një vendim gjyqësor, të cilin e ka cituar IKD”.
“Për më tepër, nëse PSRK e ka të ndaluar të komentojë vendimet gjyqësore, IKD nuk e ka të ndaluar t’i raportojë ato. Kështu, raporti i IKD si burim të çështjes në fjalë merr vendimin gjyqësor të një departamenti të specializuar, saktësia e citimit të të cilit nuk është kontestuese”, thuhet në kundërreagimin e IKD-së.
IKD-ja ka thënë se Isufaj nuk ka reaguar për lajmin që ka qarkulluar në media qe disa muaj.
Edhe
IKD: Qeveria nuk po tregon llogaridhënie për skandalet qeveritare
“Siç u tha, PSRK nuk ka dhënë përgjigje ndaj vendimit gjyqësor, me arsyetimin se nuk mund të komentoj vendimet gjyqësore. Në këtë situatë, përderisa faktet janë të sakta, IKD i rikujton PSRK-së se nuk është ajo kompetentja për të përcaktuar politikat hulumtuese dhe redaktoriale të shoqërisë civile dhe mediave. Ky fakt, duket se nuk është kuptuar mjaftueshëm nga PSRK. Me këtë rast, duhet theksuar faktin se reagimi i PSRK merret vetëm me çështje në fjalë dhe nuk tregon faktin se një pjesë e konsiderueshme e komenteve të PSRK-së, janë adresuar në këtë raport”, thuhet në kundërreagimin e IKD-së.