Si të kuptohet gjenerata Z nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, sa janë ata të lodhur me politikën dhe sa besojnë se mund të kenë ndikim? Këto dhe shumë dilema të tjera janë përfshirë në një studim të publikuar nga Organizata për Shoqëri të Hapur në Ballkanin Perëndimor (OSWB) dhe të prezantuar të mërkurën në Bruksel. Projektin e ka drejtuar gazetari Nazim Rashiti, ndërsa autore e raportit, e cila edhe prezantoi në Bruksel rezultatet, ishte hulumtuesja Lura Polozhani.
Ambienti në të cilin u prezantua ky raport dhe në të cilin u zhvillua një debat kushtuar kësaj gjenerate ishte i veçantë. Ishte një improvizim me moton “Çfarë po gatuhet në Ballkanin Perëndimor“, me moderimin e Jeta Bejtullahut.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAndi Dobrushi, drejtor i Shoqërisë së Hapur në Ballkanin Perëndimor, në bashkëbisedim foli për arsyet e angazhimit në këtë projekt, duke nënvizuar se në kohërat kur gjërat në botë po ndryshojnë aq shpejt, një prioritet që mbetet janë integrimet evropiane.
“Kemi një gjeneratë e cila është rritur në një mjedis krejt të ndryshëm, gjenerata e pas tranzicionit, e cila po ashtu është rritur pa luftëra. E bëmë këtë raport edhe për shkak se ndjejmë një lloj turpi pse nuk merremi më shumë me këtë gjeneratë“, tha ai.
Vetë të dhënat nga raporti nxjerrin disa fakte që shkojnë kundër përshtypjes së përgjithshme të krijuar.
Të rinjtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk janë pesimistë, por shumë optimistë, kanë shpresë dhe besojnë në një jetë më të mirë. Ndonëse ndjejnë se nuk janë të përfshirë në politikë, janë të gatshëm të votojnë.
Gazetari Nazim Rashiti nga Maqedonia e Veriut foli edhe për përvojën e tij si gazetar, duke pasur mundësi të shohë në praktikë dallimet e shpeshta mes gjeneratave.
“Si gazetar shpesh kam vërejtur se të rinjtë nga e njëjta parti politike mendojnë ndryshe nga kolegët e tyre partiakë më të moshuar“, tha ai.
Lura Polozhani, hulumtuese që udhëhoqi këtë raport, prezantoi të dhënat.
Ndër rezultatet më interesante është se 71% e Gjeneratës Z në rajon ndjehen të shkëputur nga politika. Nuk janë të painformuar, por ndjehen të shkëputur nga politika formale, nga pjesëmarrja politike. Megjithatë, 67% duan të marrin pjesë në votime.
Më shumë se 40 për qind do të protestonin kundër një lideri i cili do të merrte pushtet në mënyrë të paligjshme.
Të rinjtë kryesisht nuk kanë ndonjë ideologji të qartë, preferojnë një përzierje të vlerave progresive, të majta dhe konservatore. Janë një gjeneratë pas-ideologjike.
Sa i përket qasjes ndaj BE-së, të rinjtë e kësaj gjenerate kanë një mbështetje të fuqishme. 76,2% mbështesin anëtarësimin në BE.
Edhe pse shpesh flitet për “derdhjen e trurit“, kjo gjeneratë habit me qëndrimin dominues se nuk duan të largohen nga vendi i tyre. Në mesin e tyre është vërejtur dëshira për një “Brain stay“ (mbetje e trurit). Se duan të mbeten në vendin e tyre janë shprehur 64%. 23% do të largoheshin. Mbi 86 % janë të lumtur, ndërsa 71% kanë shpresë se do të jetë më mirë për ta.
Në diskutime kanë marrë pjesë edhe deputetë të rinj të Parlamentit Evropian, të cilët kanë folur për përvojën e tyre dhe si u qasen kolegët më të moshuar ndaj tyre.
Dorotea Laziq nga Serbia, në debat me deputetin e Parlamentit Evropian Lukas Sieper nga Gjermania, diskutuan për mënyrën se si një i ri arrin të fitojë mbi 200 mijë vota për të hyrë në Parlamentin Evropian.
“Kam plan që të bëhem kancelar i Gjermanisë. Dhe si fillim i mirë është të bëhem parlamentar. Ju duhet një grup i mirë i njerëzve, që u besoni, një arsimim i duhur. Ju duhen edhe para, jo shumë por ju duhen. Duhet të jeni kreativ dhe nganjëherë të tejkaloni pengesat e sistemit. Duhet të jeni aktiv edhe në mediat sociale, sepse këtu keni një bazë të të rinjve të cilët duan të shohin të rinj në politikë“, me humor shpjegoi ai.
Ndërsa në pyetjen nëse ka mosbesim në Parlamentin Evropian pasi është i ri, u përgjigj se po.
“Po. Duhet të punosh dyfish më shumë për sukses. Jam disi sikur gratë në këtë aspekt. Mosha mesatare e deputetëve të Parlamentit Evropian është 55 dhe është e natyrshme që të trajtojnë në atë mënyrë, sepse kur shkojnë në shtëpi atje i kanë fëmijët e tyre në moshën time“, tha ai.
“Kam besim se integrimi në BE do të ishte shërues për rajonin e Ballkanit. Një pajtim çfarë kemi pasur ne, Gjermania dhe Franca, është ajo që i duhet edhe Ballkanit“, tha ky deputet i ri i Parlamentit Evropian.
Ngjashëm foli edhe Lena Schilling, deputetja më e re e Parlamentit Evropian nga radhët e të gjelbërve austriakë.