Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka thënë se agonia institucionale duhet të merr fund.
Sipas tij, legjitimimi i elitës politike përmes zgjedhjeve, është e vetmja rrugë.
“Me muaj e muaj të tërë po jetojmë në një agoni të plotë institucionale. Nuk besoj se ka kush në këtë vend që mendon se nuk duhet të ndryshojë gjë. Secila dhe secili, veç e veç dhe në tërësi, janë të bindur se diçka duhet të ndryshojë. Madje, edhe këta që udhëheqin jashtë-kushtetutës. E qartë se secila dhe secili e ka bindjen e vet se si do të dukej ndryshimi. Për këtë, duhet të vendosin qytetarët e Kosovës. Në çdo rast, premisa themelore është përfundimi definitiv i kësaj agonie. Kësaj agonie institucionale të pashembulltë në Kosovën e pasluftës. Në situata të tilla, legjitimimi i elitës politike përmes zgjedhjeve është e vetmja rrugë e artë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e 11-të të dielën pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së. Kjo parti e ka bojkotuar vazhdimin e seancës me arsyetimin se janë shkelur ligjet e Kushtetuta dhe ka paralajmëruar se çështjen do ta adresojë në Gjykatë Kushtetuese. Po ashtu ka tërhequr përkohësisht propozimin e saj për nënkryetar të Kuvendit. Pak orë më vonë, është votuar edhe Qeveria “Kurti 4”.