Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramabaja: Qëndrimet e ndërkombëtarëve ndaj dinarit po e trimërojnë Serbinë

Drejtuesi i Institutit shqiptar për gjeopolitikë, Sadri Ramabaja, ka thënë se qëndrimet e ndërkombëtarëve lidhur me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, po e trimërojnë Serbinë.

Sipas tij, ndërkombëtarët po marrin në konsideratë kërkesat ultimative të Serbisë, gjë që sipas tij është e dëmshme për paqen në Ballkan.

“Prandaj unë frikësohem se ky pozicionim mund ta trimërojë së tepërmi Serbinë, siç e pati trimëruar Serbinë marrja e masave nga Bashkimi Evropian, të cilat e prodhuan, sinjalizuan Serbinë se mund të ndërhyjë me një veprim, aksion agresiv më 24 shtator të vitit të kaluar dhe që në fakt nuk është dënuar aq sa duhet”, ka thënë ai të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.

Ramabaja ka thënë Serbia e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, shkëputjen nga Rusia.

“Është çështja e historisë, e lidhjes së fuqishme tradicionale me Rusinë, çështja me prapavijë kulturore, religjioze. Kisha është institucioni më i fuqishëm në Serbi, ashtu siç po rezulton të jetë në Rusi”, ka thënë Ramabaja.

Edhe Deklarata e Escobarit për dinarin shihet si presion mbi Kosovën Arbëri Deklarata e Escobarit për dinarin shihet si presion mbi Kosovën

Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për komunikim dhe ndërveprim me SHBA-në dhe BE-në, ngjashëm siç ndërveprohet me Britaninë e Madhe.

“Ne kemi nevojë për një komunikim dhe ndërveprim me aleatët tanë strategjik, në radhë të parë me SHBA-në, ngjashëm siç po ndërveprohet me Britaninë e Madhe, por është vërejtur në këto pikëpamje që Britania e Madhe është dy hapa para BE-së dhe SHBA-së në raport me qëndrimin e ekuilibruar me Kosovën sepse ne ose jemi shtet i pavarur, se nuk jemi”, është shprehur ai.