LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Dinari, instrument i Serbisë për t’iu bërë presion serbëve të Kosovës

Pagesa e pakontrolluar me dinarë të Serbisë është vlerësuar si mjet presioni ndaj serbëve të Kosovës për të mbështetur Listën Serbe, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai u shpreh se përdorimi i dinarit ishte ilegal gjatë gjithë kohës dhe se për këtë çështje nuk ka pse të negociohet me askënd

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u është përgjigjur shteteve perëndimore të cilat po insistojnë në shtyrjen e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Konjufca tha se përdorimi i dinarit ka qenë ilegal gjatë gjithë kohës në Kosovë dhe se për këtë nuk ka nevojë të negociohet me askënd.

“Nuk e ka mendjen Policia e Kosovës ta arrestojë kurrkënd dhe ne ua kem shpjegu bashkësisë ndërkombëtare që nuk është vendimi aq i rreptë sa po shpjegohet. Tash të shkojmë me Polici dhe njësi, me institucionet e sigurisë me t`i kontrollu xhepat a ki dinarë. Nuk do të bëhet kjo. Është propaganduar prej anës së Serbisë dhe është shpjeguar në mënyrë të gabueshme që të na dëmtojnë neve”, tha ai.

Sipas tij, me pagesat me dinarë jashtë kontrollit të BQK-së, Serbia u ka bërë presion qytetarëve serbë për t’i qëndruar besnikë Listës Serbe.

“Dinari nuk ka qenë thjeshtë valutë dhe monedhë. Dinari ka qenë instrument të cilin dikush e ka sjellë fizikisht prej Beogradit, me kombi dhe aty disa zyrtarë të Vuçiqit përmes Listës Serbe, kanë ardhur te shtëpia t’i kanë dhënë paret, të kanë këqyrë pak mrrolshëm dhe e kanë kërkuar lojalitetin tënd për Listës Serbe. Kjo është arsyeja fizike e shpërndarjes së dinarit”, shtoi Konjufca.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar që të pezullohet Rregullorja e BQK-së që përcakton se euroja është valuta e vetme e lejuar për transaksione me para të gatshme në Kosovë dhe që për dinarin të gjendet zgjidhje në kuadër të dialogut.

Kërkesat e ndërkombëtareve, sipas analistit Gazmir Raci, shkojnë në kundërshtim të vendosjes së rendit dhe ligjit.

“Është qasje jo fer se në raportin e progresit i kërkohet Kosovës për zbatim të rendit dhe ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj duke përfshirë edhe aspektet financiare dhe në anën tjetër t`i bësh presion që të mos zbatojë këto kërkesa është po ashtu është absurde një gjë e tillë”, vlerësoi ai.

Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt, derisa autoritetet, pa e shpjeguar në hollësi, kanë thënë se ajo do të përcillet me një periudhë transitore-informuese për qytetarët serbë që ende e përdorin dinarin.