Arbëri

Muja: S’pres që çështja e dinarit t’ia rrezikojë Kosovës partneritetin me aleatët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se nuk pret që partneriteti me shtetet aleate të rrezikohet për shkak të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin serb.

Ai ka thënë se mund të ketë periudhë të përshtatjes dhe formalizim të vendimit, por sipas tij, nuk pret të ketë probleme më tutje. Sipas Mujës, deklarimet e para për dinarin “ishin deklarime të pamatura”, duke theksuar se Rregullorja e BQK-së duhet të shtrihet në çdo cep të territorit.

“Nuk parashoh probleme e as rrezikim të partneritetit, parashoh si në procese të tjera do të ketë periudhë të përshtatjes dhe formalizim se nuk bën ndryshe. S’shoh probleme, por kur ka ndryshime, në ditët e para vijnë disa deklarime të pamatura”, është shprehur Muja të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.

Deputeti i partisë në pushtet ka potencuar se ndër vite në Kosovë janë futur thasë me dinarë serbë të pakontrolluar, e sipas tij, me Rregulloren e BQK-së, ndalohen edhe valuta të tjera.

“Në vitin 2013 në diskutimet në Bruksel kishte zyrtarë evropianë që thonin se qeveria serbe dërgonte rreth 30 milionë euro, e në vitin 2021 Vuçiqi tha se ishin 800 milionë euro. Çështja kryesore është se ku kanë shkuar ato para”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se i takon BQK-së të caktojë një periudhë të përshtatjes së qytetarëve serbë në veri me euron dhe heqjen e dinarit, ndërsa ka shtuar se Serbia po përpiqet “ta paraqesë çështjen e dinarit si krizë humanitare në veri”.

Muja ka potencuar se që nga paslufta, në Kosovë janë futur narkotikë, armë dhe para nëpërmjet krimit transnacional.

Ndërsa, duke folur për sulmin serb në Banjskë, deputeti Muja ka thënë se Bashkimi Evropian e ka cilësuar akt terrorist, e kjo sipas tij, paratë e pista “janë përdorur për të financuar krimin e organizatat terroriste në veri”.

“Si te targat e çështja e energjisë, Kosova ka pasur durimin e nevojshëm, dëshirën për të dëgjuar në 20 vitet e fundit, marrëveshja e targave u nënshkrua në 2011-n e s’u zbatua. Është edhe marrëveshja e energjisë që s’u zbatua me vjet...E vërteta është se në 2013-n deri në 2015-n kur u konkluduan marrëveshjet se këto ishin për t’u shuar strukturat paralele...strukturat paralele kanë vazhduar të lëshojnë vendime. Nëse shuarja e strukturave paralele dikujt i duket akt i njëanshëm pas shpalljes së pavarësisë, më vjen keq po s’kemi shteg tjetër”, ka theksuar ai.