Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Kosova duhet t'i përgjigjet pozivisht SHBA-së nëse kjo e fundit kërkon të strehohen qytetarë afganë që kanë ikur nga kriza atje. Rama ka shkruar se çështjen e afganëve e ka ngritur edhe në Samitin e NATO-s, duke thënë se shembull ka marrë eksperiencën e kundërshtarëve të regjimit komunist në Shqipëri, që u vranë, u burgosën, dhe regjimi mbylli Shqipërinë totalisht.
“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht. Por bëj me dije se në Samitin e NATO-s isha unë që e ngrita këtë shqetësim, për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani”, thuhet në shkrimin e të parit të Shqipërisë.
Rama shkruan se qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si vend tranzit për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, “të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara”.
Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar të premten një artikull ku thotë se presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka zhvilluar bisedime të fshehta me Kosovën dhe Shqipërinë, për strehimin e afganëve.
Në anën tjetër, talebanët të shtunën kanë marrë nën kontroll Mazar-e-Sharifin, qytetin e katërt më të madh të vendit dhe fare afër Kabulit, duke e lënë kryeqytetin afgan tërësisht të rrethuar nga ofensiva masive e ditëve të fundit. Zaptimi i Mazar-e-Sharif ka ndodhur derisa presidenti afgan, Ashraf Ghani, iu adresua kombit lidhur me kërcënimin për vënien e gjithë vendit në duart e talebanëve