Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë të drejtë sa i përket tensioneve të fundit në veri të Kosovës, ndërsa kryeministri Albin Kurti është gabim.
Sipas Ramës, ndërkombëtarët nuk po përpiqen të kënaqin Serbinë, por duan sipas tij, që Kosova të ngrihet në një nivel tjetër si shtet.
“Më vjen keq ta them por mendoj njësoj dhe ky nuk është pozicion servili, por jam i bindur se SHBA-ja dhe BE0ja kanë të drejtë dhe Albini është tërësisht i gabuar sepse ata nuk po përpiqen të kënaqin Serbinë, por ta çojnë Kosovën në tjetër nivel, që do të thotë një shtet që njihet nga të gjithë, që mund të ulet në OKB dhe çdo institucion tjetër. E vërtetë është dhe nuk mohohet, por gjithashtu e vërtetë është se hyrja e kryetarëve në zyra përkundër këshillave të mira të miqve të mirë të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte kjo që është sot, ishte një hap i tepërt”, ka thënë Rama për BBC-në, transmeton Euronews.
Rama ka përsëritur se Serbia nuk është më rrezik për Kosovën.
“Thënë kjo, mendoj se Serbia nuk është rrezik për Kosovën që prej vitit 1999, e ka humbur përfundimisht Kosovën që prej vitit 1999. Tani është koha për paqe, për normalizim, për të pranuar për t’i dhënë Serbisë atë që i takon me marrëveshje, pra asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe të drejtën që Kisha Ortodokse Serbe të ketë aktivitetin e saj në Kosovë dhe që Serbia të pranojë se Kosovën nuk e ka më, dhe të pranojë njohjen reciproke”, ka shtuar ai.
Rama ka thënë se kjo situata është provokuar fillimisht nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës.
“Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, por nuk do ta theksoj shumë në aspektin e rrezikut. Do them vetëm që kjo situatë është provokuar fillimisht nga braktisja e institucioneve nga serbët, që krijoi vakuum. Dhe së dyti nga këmbëngulja e autoriteteve të Kosovës për t’i futur në zyra boshe këta kryetarë, ku shumica e popullsisë është serbe. Ishte mirë që u mbajtën zgjedhje dhe që u tregua që askush nuk mund t’i mbajë peng proceset demokratike në një vend të pavarur, por nuk ishte ide e mirë që të këmbëngulej hyrja e këtyre kryetarëve në komuna boshe me ndihmën e policisë dhe me ndërhyrjen e KFOR dhe lëndimin e ushtarëve. Nuk jam këtu për të fajësuar dikë, thjesht po i përgjigjem pyetjeve tuaja. Mendoj se perspektiva më e gjerë është pozitive. Serbia dhe Kosova, falë Kurtit dhe Vuçiq janë shumë pranë mbylljes së marrëveshjes historike. Gjithashtu besoj se fakti që marrëveshja është kaq afër, bazuar në propozimin franko-gjerman me njohjen reciproke, i ka acaruar të dyja palët. Është si një çift në derë të kishës para se të martohen, që fillojnë dyshojnë”, ka thënë ai.
“Mendoj se nuk ka rrugë tjetër në botë që kjo marrëveshje nuk do bëhet. Çështja është kur. Ishim në një samit të Komunitetit Europian me të gjithë liderët në Moldavi dhe të gjithë ata, sidomos presidenti francez dhe kancelari gjerman janë të bindur që Kurti dhe Vuçiq duhet të ulen në një tryezë dhe të mbyllin marrëveshjen”, ka shtuar Rama.