Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur nëse anulimi i mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës i paraparë për të mërkurën në Gjakovë, është edhe për shkak të deklaratave që tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “Rama duhet t’ia propozojë Vuçiqit drafstatutin për Asociacion për shqiptarët në Luginë të Preshevës”.
Rama ka thënë se nuk është aspak kjo arsyeja. Rama ka thënë se ka disa ditë që po përpiqet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Përpjekja ime për t’u takuar me Kurtin s’ka filluar sot. Ka disa ditë që i kam bërë thirrje të takohemi për të folur për këtë situatë. Siç them unë atë që mendoj, ashtu e thotë edhe Albini. Nuk ka surpriza apo gjëra të panjohura me Albinin, sepse siç më njeh ai mua e njoh edhe unë atë. Është i sinqertë në atë që thotë, beson vërtetë se thotë diçka të rëndësishme dhe diçka që unë duhet ta marrë në konsideratë. Ka dy njerëz që janë të pa interesuar për Asociacionin. E në këtë pikë janë bashkë, jo janë bashkë në kuptimin se janë marrë vesh, por janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet. Këta janë kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, sepse në këtë mënyrë është e ndërtuar politika e tyre e brendshme, ju duhet një armik i jashtëm”, tha Rama në konferencë për media.
Rama ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur dërgon ushtarët në kufi me Kosovën nuk i dërgon se mendon se mund të futet në Kosovë, por e bën për të ndezur nacionalistët në Serbi.
Rama: Qëllimi përfundimtar i imi dhe i Kurtit është i njëjtë
Edhe
Rama për Kurtin: Qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme
Rama ka thënë se Vuçiqi e di se në Kosovë nuk guxon të futet asnjë ushtar serb.
“Serbia ka humbur luftën ushtarakisht një herë e mirë në vitin 1999, pa kthim e pa të drejtë apeli. E Serbia qysh nga viti 1999 më nuk është kërcënim për Kosovën, nuk ka se çfarë i bën. Jo pse është Kurti aty apo cilido qoftë, por sepse aty është Amerika. Është kjo Amerikë që sot është në acarimin maksimal me Qeverinë e Kosovës”, tha Rama.
Rama ka thënë se ky konfrontim “permanent po u duhet palëve për politikë të brendshme”.
“E cili është ai armiku imagjinar në sytë e zgjedhësve të njëri-tjetrit, është Asociacioni, i cili mbyll përfundimisht, në këtë aspekt po flas, mundësinë për të vazhduar lufta. Këta nuk duan të zgjidhet kjo”, tha Rama.
Rama ka thënë se ai e ka synimin përfundimtar të njëjtën me Kurtin.
“Qëllimin e kemi qind për qind të njëjtin, njohjen e plotë dhe përfundimtare ndërkombëtare të Kosovës, edhe nga Serbia përveç të gjitha tjerave, e kërkim-falja e Serbisë që duhet t’i bëjë Kosovë për krimet që i ka bërë. Ndryshimi mes nesh është që Albini i do këto në fillim, e unë them se do të vinë në fund. Kështu ka ardhur në histori njerëzimi. Nuk njoh ndonjë rast ku dy palët që kanë bërë luftë, kur kanë bërë proces paqeje kjo ka filluar nga falja dhe poshtërimi”, tha Rama.
Edhe
Rama thumbon Kurtin: Kryelartësia provinciale herët a vonë kthehet në ndëshkim
Rama ka thënë se banda kriminale ka në gjitha pjesët e botës dhe çdo shtet i lufton ato dhe nuk ka kompromis.
“Për çështjen e bandave kriminale, mund të them se bashkësia euroatlantike është e vendosur ta mbështes çmontimin e tyre, nuk ka asnjë diskutim për këtë. Siç i ka identifikuar e verifikuar saktë identitetin e tyre që morën pjesë në aktet e mundshme, i ka kërkuar qartësisht Qeverisë së Beogradit sa i përket atyre që kanë qenë të importuar duhet të arrestohen e të vihen para drejtësisë. I kanë dhënë Qeverisë së Kosovës edhe okejin të veprojë. Por, ka një problem që në dukje është shumë i vogël, por është bërë problem shumë i madh”, tha Rama.
Rama ka thënë se interesi i Kosovës është të ketë sa më tepër qetësi në vendin e vetë.
“Taktika nuk të çon asnjëherë në fitore, e strategjia po. Taktika vetëm të ngatërron me këmbët tua”, tha Rama.