Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si të arrihet qëllimi i përbashkët kombëtar. Por ai shton se me Kurtin nuk ka ndonjë problem personal.
Rama ka thënë se më shumë e ka mik Kurtin sesa Ramush Haradinajn, me të cilin kishte përplasje të mëdha gjatë kohës sa Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës.
"Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë sesa Ramush Haradinajn, me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër, ndërsa me Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal. Madje në nivel personal kam kënaqësi të bisedoj me të. Por me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënia miqësore nuk më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka si më pengon as sot, as që t’i kem dhe as që t’i shpreh divergjencat që janë të lidhura pazgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua personalisht”, ka thënë Rama në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritet të votohet rezoluta që dënon sulmin e grupit paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Rama ka pasur kritika të mëdha për videot që ai i ka quajtur propagandistike për të sulmuar kundërshtarët politikë, duke aluduar në pushtetin në Kosovë. Përmendi një video të Haradinajt.
“Por gjithashtu fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi nuk ka si më pengon që ta shpreh këtu publikisht neverinë time më të madhe për një video propagandistike të porositur dhe shpërndarë ditët e fundit përmes tastierave të luftës digjitale ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëhej copë-copë nga trollsat e trushpëlarjes kinse patriotike. Mbase i shtojnë votat atje në Prishtinë duke shtuar agjendë e spiunë në listën e armiqve të popullit. Ngrini tastaturat të luftoni më shumë me Ramoviqin se vetë Vuçiqin”, ka thënë Rama me ironi.
-
Rama për Kurtin: Qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme
-
Rama thumbon Kurtin: Kryelartësia provinciale herët a vonë kthehet në ndëshkim
-
Rama: Kurti e Vuçiq s'e duan Asociacionin, u duhet një armik i jashtëm
-
Rama për Kurtin: Qasjen ndaj Serbisë e kemi të ndryshme
-
Rama: S’jam dakord me sulmet ndaj Albin Kurtit