Arbëri

Rama refuzon të marrë pjesë në takim me Avokatin e Popullit lidhur me menaxhimin e mbeturinave

Avokati i Popullit

Avokati i Popullit ka ftuar të hënën në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën dhe menaxhmentin e kompanisë “Pastrimi”, për të diskutuar lidhur me menaxhimin e mbeturinave në kryeqendër dhe rrezikun që paraqet kjo. 

Avokati i Popullit ka treguar se në minutat e fundit nga përfaqësuesit e Komunës është njoftuar se nuk mund të marrin pjesë në takim, duke dhënë arsye për të cilat Avokati i Popullit ka thënë se nuk qëndrojnë. 

“Qëndrimin e tillë Avokati i Popullit e konsideron si mosrespektim të këtij institucioni dhe kjo tregon papërgjegjësi të plotë të përfaqësuesve të komunës në raport me interesin dhe hallet që i kanë qytetarët e Prishtinë si dhe më shumë se 800 punëtorë të kësaj kompanie”, ka njoftuar Avokati i Popullit. 

Në takim ka marrë pjesë kryeshefi i KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, që ka paraqitur prova se ekziston rregullorja në fuqi, e aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, të cilën Komuna s’po e zbaton. 

“Si rezultat i moszbatimit të kësaj rregulloreje, ka ardhur deri tek situata e krijuar kur kompania “Pastrimi” është në prag të falimentimit.  Marrë parasysh shumë probleme qe u paraqitën nga menaxhmenti i KRM “Pastrimi" (pamundësia e pagesës së pagave për punëtorët, mungesa e furnizimit të kamionëve me karburant, etj.) për të cilat në këtë fazë të hetimit Avokati i Popullit nuk do të lëshohet, dhe mbetet në pritje të dëgjimit edhe të palës tjetër, e në këtë rast Komunës së Prishtinës, në mënyrë që më pastaj Avokati i Popullit të del me një qëndrim përfundimtar”, është thënë nga Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit ka rikujtuar se është përgjegjësi e Komunës së Prishtinës për të gjetur zgjidhje për të dalë nga situata dhe është obligim për t’u ofruar qytetarëve shërbimeve cilësore dhe me kohë. 

“E pashmangshme në këtë situatë është dëmi që po i shkaktohet të punësuarve dhe qytetarëve të komunës duke rrezikuar qytetin nga përhapja e ndonjë epidemie dhe rrezikimit të shëndetit publik.  Avokati i Popullit rikujton se është përgjegjësi në radhë të parë e Komunës së Prishtinës që të gjejë zgjidhje për të dal nga kjo situatë, dhe po ashtu ka obligim që t’u ofrojë qytetarëve shërbime cilësore dhe me kohë.  Avokati i Popullit, në ditët në vijim do të bëjë përpjekje edhe njëherë të takojë kryetarin e Komunës me qëllim të sqarimit të krejt kësaj situate, duke tentuar që të ndërmerr edhe rolin e ndërmjetësuesit me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi”, thuhet nga Avokati i Popullit.