Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Protestat po ndikojnë në turizëm, rriten anulimet e rezervimeve nga turistët e huaj

protesta, zvërnec

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur shqetësim për ndikimin që protestat në janë duke pasur në sektorin e turizmit, duke paralajmëruar se anulimet e rezervimeve nga turistët e huaj po kthehen në problem serioz për ekonominë.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama tha se ka marrë mesazhe të shumta nga operatorë turistikë, të cilët raportojnë anulime për sezonin veror. Sipas tij, kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në bizneset lokale, ekonominë familjare dhe të ardhurat kombëtare nga turizmi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai theksoi se në zona si Vlora dhe Durrësi janë zhvilluar protesta sensibilizuese nga operatorë turistikë, ku sipas tij janë përfshirë një pjesë e madhe e bizneseve të sektorit, që kërkojnë të mos dëmtohet sezoni turistik.

Rama shtoi se në Vlorë, rreth 95% e hoteleve, restoranteve dhe bareve kanë marrë pjesë në këto protesta sensibilizuese, duke paralajmëruar dëme të drejtpërdrejta në ekonominë lokale dhe atë familjare nëse sezoni turistik preket nga tensionet dhe pasiguria.

Ai tha gjithashtu se turizmi është një nga burimet kryesore të ekonomisë dhe se një sezon i qetë është thelbësor për rritjen e të ardhurave. Sipas tij, nëse vazhdojnë anulimet e rezervimeve, sezoni aktual mund të dëmtohet ndjeshëm.

Në deklaratën e tij, Rama foli edhe për atë që e quajti presion ndaj njerëzve në rrjetet sociale, duke përmendur raste të bullizmit dhe kërcënimeve ndaj personave publikë dhe artistëve, përfshirë këngëtarin Ylli Limani.

Ai kritikoi ashpër këtë sjellje, duke e cilësuar si formë presioni dhe intolerancë ndaj mendimeve të ndryshme, duke thënë se shoqëria nuk duhet të pranojë imponimin e një grupi ndaj të tjerëve.

Rama paralajmëroi gjithashtu se polarizimi dhe presioni publik mund të dëmtojnë jo vetëm klimën sociale, por edhe ekonominë, veçanërisht sektorin e turizmit që sipas tij pritet të ketë një nga sezonet më të suksesshme të viteve të fundit.

Ai përfundoi duke theksuar se protestat dhe presionet që çojnë në anulime rezervimesh përbëjnë, sipas tij, një rrezik të drejtpërdrejtë për ekonominë dhe stabilitetin social të vendit.

Protestat në Shqipëri sot hyjnë në ditën e 15-të. Qytetarët mblidhen çdo ditë në orën 18:00.

Protestat për Zvërnecin kanë nisur si kundërshtim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës, në rrethinës e Vlorës. Protestuesit dhe aktivistët mjedisorë argumentojnë se projekti rrezikon ekosistemin e zonës, biodiversitetin dhe qasjen publike në bregdet, ndërsa kërkojnë anulimin e projektit dhe mbrojtjen e një prej zonave më të rëndësishme natyrore në Shqipëri. /TCH