Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës po na vështirëson përpjekjet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së e SHBA-së dhe viktimizimi i Serbisë falë dhuratave të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare, po ia vështirësojnë përpjekjet për ta zgjidhur situatën pas tensioneve në veri. 

Në seancën e Kuvendit të Shqipërisë të enjten, ku pritet të votohet rezoluta që dënon sulmin e grupit paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, Rama i ka bërë thirrje institucioneve në Kosovë të reflektojnë për kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit.

“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ata sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën e kemi vazhduar në çdo instancë dhe çdo rrethanë. Këtë e bëmë edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku bashkë me presidenten Osmani kemi folur me aktorët politikë për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm”, ka thënë Rama, duhet shtuar se Beogradi zyrtar mban një përgjegjësi të madhe për sulmin në Banjskë, pasi “jo vetëm që nuk e dënoi agresionin, por e mbuloi me flamurin kombëtar të zisë, përderisa nuk shpalli thirrjen për hetim, bashkë me të gjitha forcat e përfshira në procesin e normalizimin”.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se Kosova s'duhet ta humbasë shansin historike të marrëveshjes me planin franko-gjerman, ndërsa theksoi se krijimit të Asociacionit duhet dhënë drejtim. 

Rama kritikoi ish-kryeministrin Sali Berisha, tash lider opozitar, se po tenton që përmes rezolutave të tilla të bëjë “propagandë patriotike”. Kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria si vend kandidat i BE-së nuk ka se kujt t’ia drejtojë këto rezoluta.

“Shqipëria një vend kandidat për në BE, që ka ulësen dhe të gjitha rrugët e komunikimit me botën demokratike dhe ambasadorët e vet, kujt ja drejton një rezolutë si ajo që na u propozua? Cilat parlamente të vendeve anëtare të NATO-s miratojnë rezoluta të tilla, drejtuar botës? Ndërkohë që janë pjesë e tij, cili është qëllimi i një nisme të tillë? Përtej propagandës kinse patriotike, draft-rezoluta të tilla shfaqen si dru për oxhakun kundër qeverisë, herë si politikë ditore e herë si thirrje në skenë të viktimave të Enverit për të luftuar me qeverinë në Parlamentin e shekullit 21”, ka thënë ai.