Arbëri

Rama për “Ballkanin e Hapur”: Nuk mund ta presim më BE-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, vendosën për iniciativën “Ballkani i Hapur” pasi nuk mund të prisnin më Bashkimin Evropian, transmeton Tanjug.

Në një fjalim online të mbajtur në një panel politik në kuadër të konferencës “Ballkani i Hapur” në Kuvendin e Serbisë, Rama tha se ekonomitë e rajonit kanë pritur prej kohës për këtë iniciativë dhe se kjo do të mundësojë një zhvillim më të shpejtë ekonomik të tri vendeve përmes hapjes së kufijve për mallrat, shërbimet, njerëzit dhe kapitalet.

“Do të thosha se tash jemi në fazën e iniciativës kur nisim t’i bëjmë që në mënyrë konkrete të bëjmë disa gjëra, në seancat e fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm që do të konkretizohen në dhjetor në samitin e Tiranës, duke nënshkruar një marrëveshje dhe do të thotë se do të lehtësohen kushtet e punës për kompanitë e njerëzit që kanë probleme për shkak të kufijve dhe burokracisë”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se nismëtarët e iniciativës nuk duhet humbur kohë për të bindur ekonomitë tjera në rajon që t’i bashkohen iniciativës dhe se sa e vlefshme është kjo.

“Për ne është e qartë, prandaj jemi pjesë e kësaj nisme. Jam krenar që hapat që po hedhim kanë një ndikim të madh për qytetarët, për njerëzit që prodhojnë e eksportojnë”, tha Rama.

Ai ka thënë se tri shtetet kanë marrë vendim për këtë iniciativë, pasi kanë parë se përmes Procesit të Berlinit se çfarë hapash kishin marrë.

“Megjithatë Ballkani Perëndimor disi ngeci në atë iniciativë dhe ai proces është bërë një lloj historie pafund. Kemi vënë re se të gjitha këto tubime e deklarata në kuadër të Procesit të Berlinit, e që në praktikë asgjë nga këto nuk ndodhin në jetë”, tha Rama.

Problemi më i madh, Rama ka thënë se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundur të gjejnë koncensus që u përshtatet të gjithëve.

“Nuk mund të presim as BE-në, ata mund të premtojnë diçka, e të mos e përmbushin, e prapë ta premtojnë, e të mos e përmbushin. Varet nga ata. Ne nuk mund të presim më, duhet të ecim para”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se Ballkani i Hapur nuk është krijim i një Jugosllavie të re. Ai thotë se anëtarët e Ballkanit të Hapur do të jenë më të gatshëm kur të vijë koha për anëtarësim në BE.