Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë konferencës të përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz tregoi disa nga temat e diskutuara.
Rama tha se ka kërkuar nga Gjermania që të liberalizohen vizat për Kosovën.
“Gjermania të bëjë pjesën e saj dhe të përmbushë kërkesën për liberalizimin e vizave për Kosovën. Është proces i bllokuar dhe shpresojmë që të gjitha vendet e Ballkanit të marrim atë që meritojnë në raport me ecurinë e tyre drejt BE-së”, tha Rama.
Kryeministri i Shqipërisë tha se Ballkani i Hapur është rivitalizim i Procesit të Berlinit.
“Jam shumë i inkurajuar nga biseda me kancelarin sepse gjeta një gatishmëri inkurajuese të tij dhe të Gjermanisë për të shtyrë me më shumë vendosmëri procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga përmbysja e një faze të procesit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që shpresojmë të ndodhë në qershor. E çmojmë shumë konsideratën e qeverisë federale për progresin që ne kemi bërë por jemi edhe të vetëdijshëm që kemi shumë për të bërë në të gjitha drejtimet. Për ne procesi i integrimit evropian nuk është një proces për të shkuar në Evropë por për të ndërtuar një Shqipëri me standarde e BE-së, dhe këtë ia detyrojmë fëmijëve tanë”, tha Rama. “Unë e informova Kancelarin edhe për “Ballkanin e Hapur” që nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje për ta jetësuar Procesin e Berlinit. Shpresoj që Gjermania të bëjë pjesën e saj sa i përket përmbushjes së procesit dhe bashkimit nga BE për uljen në tryezë të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Po e bëj një ftesë publikisht do të ishim të nderuar që të vizitoni Shqipërinë dhe Rajonin. BE ka nevojë për Rajonin dhe Rajoni për BE.”, tha Rama.
Edhe
Rama e falënderon Scholzin për “ripërtëritjen” e Procesit të Berlinit
Rama flet për ndikimin ruso-kinez në rajon pas blerjes së armëve nga Serbia
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur rreth ndikimeve në Ballkan pas blerjes së armatimit të Serbisë nga Kina.
Rama tha se nuk duhet të ketë shqetësime nga vendet e treta në rajon ndonëse e pranoi se ndikimi i Rusisë përbën një problem.
“Sigurisht, ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem, por më tepër në kushtet e sotme çka e bën shumë të nevojshme aktivizimin më intensiv të BE-së për t’i afruar më pranë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Kina është një vend ka synimin e vet të deklaruar për të gjithë ish-Evropën Lindore, ka një format special 17 plus 1 me të gjitha vendet komuniste, që është një projekt investimesh. Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme me asnjërën dhe niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri është zero, ndërsa Turqia nuk është një akter i tretë dhe ajo është partner strategjik i Shqipërisë”, tha Rama.
Edhe
Rama të martën në Gjermani, takon kancelarin Scholz
Ndryshe, Serbia së fundi ka blerë një sistem raketor kinez duke nxitur kështu reagimin e Prishtinës zyrtare, e cila ka kërkuar nga BE, NATO e OKB që të shikojnë qasjen e tyre në raport me Beogradin.