Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për shtyp së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të zgjidhet sa më shpejt.
Të enjten në kuadër të Procesit të Berlinit u nënshkruan tri marrëveshje mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Një ndër pikat e marrëveshjes ishte edhe lëvizja e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Duke përmendur këtë marrëveshje, Rama thekoi se Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa liri të lëvizjes në Evropë.
“Është pak e çuditshme për popullin e Kosovës që derisa po bëhet një hap për lëvizje të lirë, ata ende nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë sikurse rajoni. Me të vërtetë shpresoj që të zgjidhet kjo”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Shqipërisë i sheh shumë të rëndësishme marrëveshjet që u nënshkruan sot nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë, ai falënderoi kancelarin Olaf Scholz për punën që ka bërë.
Edhe
Rama e falënderon Scholzin për “ripërtëritjen” e Procesit të Berlinit
“Është shumë e rëndësishme çfarë nënshkruam. Është shumë e rëndësishme që të gjitha shtetet janë të përfshirë në këto tri marrëveshje. Janë marrëveshje që i kemi pritur që dy a tri vjet. Kanë qenë synime edhe në Ballkanin e Hapur. Kancelari ka punuar fort me ekipin e tij për të nënshkruar të gjithë. Është mirë që i gjithë regjioni është i përfshirë në këtë kornizë”, shtoi ai.
Rama gjithashtu e ka kujtuar edhe nismëtaren e Procesit të Berlinit, ish-kancelaren Angela Merkel. Ai thotë se falë nismës që ka krijuar Merkeli, kemi një regjion të bashkuar.
“Merkel kishte të drejtë. Nëse sot kemi regjion të bashkuar në një moment të komplikuar të historisë për Evropën dhe komunitetin euroatlantik, sekreti publik është Procesi i Berlinit. Kur u takuam për herë të parë para 10 vjetëve, nuk e kishim takuar njëri-tjetrin me shekuj dhe kjo është ajo që është dashur të bëjmë”, ka deklaruar Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare konfirmoi se do të jetë mikpritës i samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit që të mbahet vitin e ardhshëm.
Edhe
Rama në Sarajevë kërkon lëvizjen e qytetarëve të Kosovës me letërnjoftim
“Ne do të shohim progresin në samitin e ardhshëm, duke filluar nga çmimi energjetik, ku po ndjehemi se nuk jemi vetëm, nuk jemi lënë anash. Der Leyen bëri një vizitë në Ballkan dhe nuk e bëri për solidaritet, por dha një mbështetje të fuqishme financiare për ta filluar dimrin, por jo për ta mbaruar”, përfundoi Rama.